KDI: Vendosja e figurave të VV-së në borde është në kundërshtim me ligjet e ndërmarrjeve publike

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka reaguar pas emërimit të bordeve të përkohshme të ndërmarrjeve publike nga Qeveria në detyrë.

Lajme365 ka raportuar se  disa prej të emëruarve kanë qenë kandidatë për deputet nga Lëvizja Vetëvendosje.

Në bordin e INFRAKOS-it Qeveria në detyrë i ” bën vend ” anëtarit të Vetëvendosjes dhe shokut të Albin Kurtit

KDI ka thënë se vendosja e figurave që më parë ishin kandidatë LVV në zgjedhjet e fundit, është në kundërshtim me ligjet e këtyre ndërmarrjeve publike dhe në kundërshtim me premtimin kryesor që bordet do të çkapen nga politika e do të jenë profesionale, të pavarura dhe me integritet.

“Në strategjinë e zgjerimit të BE-së për shtetet e Ballkanit perëndimor, citohet se këto shtete, ku bën pjesë edhe Kosova tregojnë elemente të qarta të kapjes së shtetit në të gjitha nivelet e qeverisjes dhe administratës. Edhe KDI, si pjesë e rrjetit global Transparency International ka raportuar në vazhdimësi për elemente të kapjes së shtetit në sektorë të rëndësishëm, ndërsa në veçanti ka kritikuar praktikat e kapjes së bordeve të ndërmarrjeve publike  dhe vendosjen e njerëzve jokompetentë e partiakë”, thuhet në reagimin e KDI-së.

Sipas tyre, Qeveria në detyrë urgjentisht duhet ta ndaloj një praktikë të tillë, ndërsa procesit të rekrutimit duhet t’i parapri shpallja e konkurseve publike në mënyra që në këto borde të rekrutohen njerëz me kredibilitet, integritet e profesionalizëm.

“Qeveria në detyrë duhet që të vazhdojë memorandumet e bashkëpunimit me Ambasadën Britanike në Kosovë, për rekrutimin e bordeve dhe pozitave tjera udhëheqëse në Kosovë, ashtu që të kemi përmes një procesi transparent e llogaridhënës me ndihmën e Ambasadës dhe nën mbikëqyrjen e shoqërisë civile të mundësohet zgjedhja e bordeve të ndërmarrjeve publike të jenë profesionale e jo politike, me integritet e jo të kapura”, vijon njoftimi.

Mbrëmë, Qeveria e Kosovës në mbledhjen e 21 shkarkoi disa borde dhe bëri disa emërime të përkohshme.

Mentor Hyseni, Artan Dërmaku, Avdullah Lala janë emëruar në borde të ndërmarrjeve publike dhe janë pjesë e partisë Lëvizja Vetëvendosje.

EKSKLUZIVE: Qeveria Kurti vazhdon ” ç ‘kapjen ” e shteti me emërime të anëtarëve nëpër borde