Kërcënimet që Vuçiq po ia bën tërë popullit, ndodhin vetëm në Korenë e Veriut, thotë Rashiq

Bartësi i listës së koalicionit “Liria”, Nenad Rashiq, ka thënë se Serbia është duke i kërcënuar rëndë serbët e Kosovës.

Nenad Rashiq, bartësi i listës së koalicionit “Sloboda” apo në shqip “Liria”, në një intervistë dhënë për lajmi.net, ka thënë se Beogradi zyrtar po përdor politika shumë agresive mbi serbët e Kosovës.

I pyetur se si do të mund ta largojë politikën që Beogradi po e përdor mbi serbët e Kosovës, ai ka thënë se do të bëjnë përpjekje maksimale që serbëve të Kosovës t’ua bëjnë me dije se ka një Kosovë që siguron prosperitet për ta.

Por, Rashiq ka fajësuar institucionet kosovare të cilat kanë mundësuar që Serbia të shtrijë ndikimin e saj përmes Listës Serbe.

“Është e dukshme që politika e Beogradit është shumë agresive. Nga ana tjetër, ne kemi po e them pa modesti për vete dhe unë e di që njerëzit po më besojnë, por pa mekanizma shumë vështirë është që të bind që ka një Kosovë tjetër e cila po e siguron prosperitetin dhe të mirën për familjen. Ju e keni këtu vetëm një organ i cili ka qenë i mundësuar fatkeqësisht me fajin e institucioneve të Kosovës dhe politikanëve shqiptarë këtu, i ka mundësuar krejt organizmat në një element politik dhe ju nuk keni alterantivë. Sikur për shembull prej fillimit për veriun e Kosovës, është normale që njerëzit besojnë vetëm në strukturat e Beogradit sepse vetëm ata janë aty duke ekzistuar, të gjitha të tjerat janë të fshehta ose të gjithë të tjerët po përdoren prej të njëjtëve udhëheqës sikurse që janë në lista të Serbisë”, u është shprehur Rashiq në intervistën dhënë lajmi.net.

Ai thotë se është Lista Serbe ajo e cila vetëm për të pasur ndikimin e saj në serbët e Kosovës bën çdo gjë që të fitojë votën e tyre. Sipas Rashiqit, qytetarëve serbë duhet t’ju prezantohen të gjitha të vërtetat, por fatkeqësisht për shkak të presionit dhe kërcënimeve nga Beogradi zyrtar dhe në përfaqësuesit e Listës Serbe, ata po detyrohen ta pranojnë këtë realitet pasi që nuk kanë alternativë tjetër.

“Nëse krijohet një balancë, në të cilën të themi se keni dy anë të vërtetës, sepse secili prej nesh e prezanton të vërtetën e vet, pavarësisht se a është vetëm e vërteta psikologjike sikur që e ka Lista Serbe ose reale sikurse e prezantoj unë. Por nëse bëni balancë me mekanizmat të cilat i sigurojnë, ju tregojnë çka janë mundësitë, çka mund të arrihet me këtë që ne po ju prezantojmë, kjo pas një kohe relativisht të shkurtër gjashtë muaj relativisht një vit do të bëhet reale. Për shembull në anën tjetër e keni Listën Serbe e cila ka shpallur bukfalisht para dy dite, jo që e kanë shpallur sepse nuk ka mundësi se si të shpallin, por kanë shpallur se ne do t’i punësojmë një mijë veta, tash po thotë se e shpallim konkursin për një mijë veta. Edhe pse asnjë person normal nuk mund ta besoj që kjo do të mund të ndodhë, ka një grupacion që mendon se me të vërtetë do të shpallen një mijë vende pune, e që absolutisht është abnormale.  Por sido qoftë siç e thashë, njerëz, fatkeqësisht serbët e Kosovës nuk kanë alternativë. Nëse bëhet një alternativë sikurse që e kam thënë më herët, unë jam i bindur sikurse që ka ndodhur në 2007, 2008, 2011 e këto vite, që do të shohin një mundësi që këtu gjendja është reale që të mund të bëjnë prosperitet për të ardhmen jo vetëm në formë verbale por në të vërtetë të bëhet një themel për një perspektivë kosovare. Kështu që nëse krijohet një mundësi e tillë më besoni se do të dimë e do të kishim ditë se si t’i stimulojmë serbët që të mendojnë për diçka të mirë qoftë për projekte e ide të reja, por po ashtu me një ndjenjë të sigurisë brenda Kosovës e cila prapë është humbur për shkak të  një agresioni psikologjik nga ana e Beogradit zyrtar”, u shpreh Rashiq.

Por, ai thotë se është vet presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ai i cili po kërcënon haptazi serbët e Kosovës nëse nuk e votojnë Listën Serbe.

Sipas tij, kërcënime të tilla ndodhin vetëm në Korenë Veriore.

“Edhe një gjë dua të ju tregoj, pardje vetë presidenti Vuçiq, ka thënë se “nëse nuk votoni Listën Serbe këta të tjetër do t’ju largojnë prej punës, keni me humb pensionet, pagat në shëndetësi, arsim etj.,”. paramendojeni një president të kërcënojë tërë popullin jam i bindur se kjo do të mbetet për literaturë për fakultetet politike sepse kjo përveç në Korenë Veriore nuk besoj se ndodhë askund tjetër në botë”, ka deklaruar Rashiq. /Lajmi.net/