Kërkohet drejtësi për Masakrën e Tusuzit

Nën patronazhin e kryetarit të Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, sot para memorialit dhe varrezave të 27 martirëve të Lagjes së Trimave, u organizua akademi përkujtimore, me rastin e 20 vjetorit të Masakrës së Tusuzit.

Me këtë rast, në emër të Komunës së Prizrenit dhe kryetarit Haskuka, kryesuesi i Kuvendit Komunal, Artan Abrashi, shprehu ngushëllimet për familjarët e martirëve dhe kërkoi drejtësi për gjetjen dhe dënimin e shkaktarëve të këtij krimi. Gjithashtu në këtë akademi fjalën e morën edhe veprimtarë e aktivistë të çështjes kombëtare, kontribues për liri dhe përfaqësues të lagjes e të shoqatave të dalura nga lufta, njofton Komuna e Prizrenit.

Masakra e Tusuzit njihet si ngjarja më e rëndë në qytetin e Prizrenit gjatë kohës së luftës, ku në operacionin brutal të njësisë kriminale serbe, u masakruan 27 martirë dhe u dogjën rreth 250 shtëpi të kësaj lagjeje.