Kërkohet kthimi në pikën zero i konkursit për emërimin e noterëve

Hapja e konkursit për 79 zyra të reja noteriale në territorin e Kosovës nga Ministria e Drejtësisë, që aktualisht udhëhiqet nga Abelard Tahiri, po kundërshtohet ashpër nga shoqëria civile e së fundmi edhe nga bashkësia ndërkombëtare, sepse qeveria në largim nuk ka të drejtë të emërojë noterë të rinj, por edhe nuk duhet t’i emërojë ata në baza partiake.

Katër ditë pasi kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj kishte dhënë dorëheqje, Ministria e Drejtësisë, e udhëhequr nga Abelard Tahiri, më 23 korrik të këtij viti kishte hapur konkurs për 79 pozita të lira për noterë në 35 komuna të Kosovës, shkruan sot Gazeta “Zëri”

Mirëpo që nga shpallja e konkursit e deri te emërimi i noterëve ky proces është përballur me kritika të shumta nga shoqëria civile e së fundmi edhe nga bashkësia ndërkombëtare, të cilët kanë dhënë vërejtje për kriteret jo të drejta të vëna nga Ministria e Drejtësisë së Kosovës. Përveç për kriteret e vëna, në reagimin e Unionit Ndërkombëtar të Noterëve dhe të Odës Federale Gjermane të Noterisë, MD-ja kritikohet edhe për rritjen e numrit të noterëve në Kosovë.

Në anën tjetër përfaqësues të shoqërisë civile, si dhe njohës të sistemit të drejtësisë për “Zërin” janë shprehur se meqenëse konkursi është shpallur pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinajt, Ministria e Drejtësisë në largim nuk ka legjitimitet për ta proceduar tutje emërimin e noterëve të rinj. Ndër të tjera, ata kanë theksuar se emërimi i noterëve është duke u bërë mbi baza partiake e familjare, prandaj ky proces duhet të rikthehet në pikën zero. /Zëri/