Kërkohet sigurimi i vaksinave antiCOVID dhe rishikimi i Ligjit për Pandeminë

Është mbajtur mbledhja konstituive e Komisionit për Shëndetësi. Në këtë mbledhje u tha se prioritet duhet të jetë menaxhimi i pandemisë dhe sigurimi i vaksinës anti-COVID.

Madje anëtarët e Komisionit për shëndetësi i pajtuan që duhet të rishikohet Ligji për luftimin e pandemisë COVID-19.

Kryetarja e këtij Komisioni, Fatmire Kollçaku nga Lëvizja Vetëvendosje tha se si kryetare do të punojë në mënyrë konstruktive dhe do angazhohet për një frymë të bashkëpunimit në të mirë të përgjithshme.

Anëtari i këtij komisioni nga PDK, Bekim Haxhiu kërkoi që të bëhen bashkë të gjithë për të ndihmuar në sigurimin e vaksinës pavarësisht se nga cila parti janë.

Ndërsa, Shemsedin Dreshaj nga AAK thotë se shqetësim për të gjithë mbetet çështja e vaksinimit.

“20 mijë vaksina janë 1 pikë ujë në deti… rekomandojmë mos të mos shkohet me një ritëm të ngadalshëm të vaksinave ka me iu skadu afati vaksinave duhet mobilizim në të gjitha nivelet. Këto hapa duhet të merren para se të vijë vaksina dhe nga ana jonë do keni mbështetjen e sinqertë”, tha ai.

Ndërsa, ish ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj tha se situata me pandeminë COVID-19 mbetet shqetësuese. Ai thekson se qeveria është duke heshtur karshi situatës me COVID-19, raporton KP.

Kryetarja e Komisionit për Shëndetësi, Fatmire Kollçaku lidhur me masat anti-COVID që tashmë janë në fuqi tha se masat nuk janë marr kokë në vete, por në konsultim me IKSHP-në.

“Masat nuk janë marr krye në vete por në bashkëpunim me institucionet relevante siç është IKShPK dhe në vazhdimësi duhet të përfshihen dhe konsultohen ekspertet e të gjitha fushave”, tha ajo.