Këshilli Gjyqësor verifikon 1.081 kandidatët për deputetë, listën e dorëzon në KQZ

Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka përfunduar verifikimin e 1.081 kandidatëve për deputet për zgjedhjet parlamentare, 14 shkurt të cilët dyshohen se kanë problem me ligjin.

Sipas një njoftimi për media, thuhet se listat e kandidatëve janë dorëzuar në KQZ brenda afatit të përcaktuar në kërkesë.

“Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK) bazuar në ligj, në Memorandumin e Bashkëpunimit me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) dhe kërkesën e datës 18.01.2021, ka përfunduar verifikimin e 1.081 kandidatëve për deputet për zgjedhjet e parakohshme të datës 14.02.2021. Listat e kandidatëve janë dorëzuar në KQZ brenda afatit të përcaktuar në kërkesë. Me këtë rast, Këshilli ka përfunduar obligimin e vet në lidhje me këtë proces”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq, nga KQZ-ja kanë bërë të ditur se në përgjithësi janë 47 kandidatë nga rreth 1.080, të cilët janë shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në tri vitet e fundit. /Telegrafi/