Këta janë katër zëvendësministrat e parë të emëruar nga Kurti

Kryeministri Albin Kurti, në javën e parë të marrjes së detyrës i ka emëruar katër zëvendësministra.

Në pozitën e zëvendësministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës e ka vendosur Hysen Durmishin. I njëjti shërbente përgjatë mandatit të parë të Kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmetit, si ish-drejtor i Infrastrukturës në Komunën e Prishtinës, shkruan Gazeta Express.

Ndërkaq, në dikasterin e Mbrojtjes, personin e dytë më të rëndësishëm Kurti e ka bërë Enver Dugollin. I njëjti ka shërbyer në këtë pozitë edhe përgjatë Qeverisë Kurti një.

Blerim Sallahu, përfaqësues ligjor i Lëvizjes Vetëvendosje, i cili përfaqësonte këtë parti gjatë seancës publike të Gjykatës Kushtetuese për legjitimitetin e votës së deputetit Etem Arifi që ndihmoi në formimin e legjislaturës së shtatë, është vënë si zëvendësministër në Ministrinë e Drejtësisë.

Ilir Aliu është vendosur si zëvendësministër në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve.

Përveç Sallahut, tre zëvendësministrat e tjerë ishin pjesë e listës së kandidatëve për deputetë nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 14 shkurtit.

Të gjitha këto emërime janë bërë të ditur nëpërmjet një komunikate dërguar medieve nga Zyra e Kryeministrit.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në javën e parë të marrjes së detyrës i ka emëruar katër zëvendësministra, të cilët i ka uruar për pozitën e re dhe u ka dëshiruar suksese në plotësimin e synimeve dhe përgjegjësive të tyre”, thuhet në komunikatë. /Gazeta Express/