Këta pritet të jenë kandidatët e LDK-së për deputetë nga Suhareka

Dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Suharekë ka dalë me propozimet për kandidatë për deputetë nga kjo parti për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit.

Kryesia e Degës së LDK-së në Suharekë, ka propozuar 4 emra për të qenë pjesë e listës prej 120 kandidatëve të kësaj partie për deputetë.

Kjo degë ka propozuar që në listën e LDK-së nga Suhareka të futen kryetari i degës, Ardian Shala, ish kryetari i Komunës së Suharekës dhe ish deputeti, Sali Asllanaj, Bexhet Kuçi dhe Shqipe Ramaj.

“Të gjithë ata individë e portale që trumpetuan për gjoja përçarje, në degën tonë, i njoftojmë se kanë hargjuar energji kot së koti. Madje i ftojmë që t’i gëzohen fitores së LDK- së e cila padyshim që do të jetë fitore për Suharekën dhe për Kosovën!”, thuhet në njoftimin e publikuar nga Dega e LDK-së në Suharekë.