Kina bllokon OKB-në, nuk lejon që të dënohet puçi në Birmani

Kina e ka bllokuar një deklaratë të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, me të cilën do të dënohej puçi ushtarak në Birmani.

Ushtria e shtetit në juglindje të Azisë e mori pushtetin të hënën pasi e arrestoi udhëheqësen politike të vendit, Aung San Suu Kyi, dhe qindra ligjvënës, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara u takua të martën, por dështoi që të dilte me deklaratë të përbashkët, sepse Kina nuk e përkrahu atë. Kina është një ndër pesë anëtaret e përhershme të këshillit dhe e ka të drejtën e vetos.

Para takimit, e dërguara e posaçme e OKB-së për Birmaninë, Christine Schraner, e dënoi ashpër marrjen e pushtetit nga ushtria, e cila refuzoi ta pranonte rezultatin e zgjedhjeve që u mbajtën në nëntor.

Ajo tha se ishte e qartë që rezultati i ri i zgjedhjeve ishte fitore bindëse për partinë e zonjës Suu Kyi.

Kina ka paralajmëruar se sanksionet ose trysnia ndërkombëtare vetëm sa do ta përkeqësonte gjendjen në Birmani. Pekini për një kohë të gjatë e ka luajtur rolin e mbrojtësit të këtij shteti nga vëzhgimi ndërkombëtar./express