Kinolli: Jemi për formimin e një qeverie të re, në këtë situatë nuk është koha për zgjedhje

Albert Kinolli nga grupi parlamentar “6 Plus”, pas takimit me Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se në këtë kohë pandemie nuk është koha e duhur për tu mbajtur zgjedhjet.

Kinolli ka theksuar se ata janë për formimin e një qeverie të re bazuar në Kushtetutën e Kosovës.

“Sa i përket kësaj situate në të cilën gjendemi pas mocionit të ngritur ekzistojnë dy çështje. Shpërndarja e Kuvendit sipas kushtetues, dhe shpërndarja e kuvendit nga presidenti dhe shkuarja në zgjedhje të jashtëzakonshme dhe formimi i një qeverie të re dhe stabile. Ne mendojmë se tani për momentin nuk është koha për zgjedhje, shkaku i pandemisë së coronavirusit”, ka thënë Kinolli.

Ai ka shtuar se askush nga ta nuk është kundër zgjedhjeve.

“Askush nga ne nuk është kundër zgjedhjeve, ne gjithmonë jemi për zgjedhje demokratike por në këtë situatë në të cilën gjendemi ne mendojmë se në këtë kohë nuk jemi të gatshëm që të rrezikojmë jetën e qytetarëve që të dalin në zgjedhje dhe mendojmë që momenti është të formohet një qeveri të re dhe stabile duke respektuar Kushtetutën”, ka thënë Kinolli.

Kinolli ka theksuar se do ta respektojnë cilindo vendim që e merr presidenti. /Telegrafi/