Kjo është komunikata e VV-së në të cilën ushtarët e KFOR-it konsideroheshin mercenarë

Lëvizja Vetëvendosje i ka fshirë komunikatat e disa viteve më parë për ish presidentin Ibrahim Rugova, presidentin aktual të SHBA-së, Joe Bidenin e KFOR-in.


Ndonëse ato janë fshirë nga VV, Periskopi ka gjetur një komunikatë me deklarata komprometuese për trupat e KFOR-it në Kosovë.

Në këtë deklaratë, Vetëvendosje i kishte quajtur mercenarë ushtarët e huaj që operojnë në Kosovë.

“Tërë procesi mund të përmblidhet me dy fjali. Amerikanët janë zmbrapsur. Evropianët janë sforcuar. Sot prania amerikane në Kosovë (përfshirë atë ushtarake) është simbolike, ndërsa levat kyçe janë në duart e evropianëve. Vendet neutral e, si Suedia, i patrullojnë enklavat serbe. Protektorati i OKB-së është shndërruar de facto në protektorat evropian. E pra, edhe fëmija e rrugës e di se ku shpien kjo. Shumica e evropianëve janë në konfrontim me shqiptarët meqë flirtojnë me Beogradin. Sa më shumë këso evropianësh në KFOR, aq më fort konflikt me shqiptarët”, thuhej në komunikatën e asaj .

Madje në këtë komunikatë VV kishte përdorur edhe shprehja të ulëta.

“Të presësh bashkëpunim efektiv prej këtyre evropianëve [të KFOR-it] është, thjesht, si të presësh nga një tufë hamshorësh të pshurrin njëherit.”

Po ashtu, VV akuzonte ushtarët e KFOR-it edhe për trazirat etnike në vend, e që kishin lënë shumë të vrarë.

“Burimet e OJQ-ve lokale pohojnë se shumica e vrasjeve dhe plagosjeve u shkaktuan jo në grindje ndëretnike, po nga ushtarët e KFOR-it, që të stërvitur e të armatosur për luftë u rreshtuan para tinejxherëve të revoltuar.” – shkruhet aty

“Prandaj, nuk është për t’u habitur pse shumica dërrmuese e shqiptarëve sot dëshiron t’u thotë shpëtimtarëve të dikurshëm: ju lumshin këmbët, e udha e mbarë.” – pretendonte VV-ja, edhe pse simpatia e shqiptarëve për KFOR-in është shumë e madhe.

KOMUNIKATA:

KFOR-i, nga shpëtimtar në mercenarë

Në qershor të vitit 1999, ushtarët e NATO-s u pritën si shpëtimtarë nga shumica shqiptare në Kosovë. Që ahere s’kanë kaluar as 10 vjet, por shumica e shqiptarëve sot parapëlqejnë që siguria e tyre të mbrohet nga ushtria e Kosovës së mëvetshme. Ky ndërrim i mendjes nuk varet nga strategjia vendore e mbrojtjes, meqë një e tillë nuk lejohet të ekzistojë, por duke qenë se aborti I gjithëmbarshëm i protektoratit është reflektuar edhe mbi KFOR-in. Në sytë e shqiptarëve, KFOR-i është gjithnjë e më pak garant i sigurisë, e gjithnjë e më shumë garant i zgjidhjeve të korruptuara të UNMIK-ut.

Dora në zemër, romanca mes KFOR-it dhe shqiptarëve s’ka qenë asnjëherë e thjeshtë. Ajo u nis me gjysmë zemre qysh në krye, kur vendet e NATO-s e dizajnuan fushatën ajrore kundër Serbisë me qëllim parësor zero (!) viktima nga radhët e veta – ndërsa shqiptarët pësuan 14 000 të vdekur, e 20 000 femra të dhunuara. Shqiptarëve u kujtohen ende freskët sabotimet franceze, italiane e greke, që e vonuan dhe kufizuan ndërhyrjen ajrore fillim e mbarim. Marrëdhëniet s’kishin si të lulëzojnë kur mu këtyre vendeve iu dhanë në besim zonat më të ndjeshme të Kosovës.

Që atëherë, ka ndodhur shumëçka që ta zbeh këtë relacion edhe më tej. Tërë procesi mund të përmblidhet me dy fjali. Amerikanët janë zbrapsur. Evropianët janë sforcuar. Sot prania amerikane në Kosovë (përfshirë atë ushtarake) është simbolike, ndërsa levat kyçe janë në duart e evropianëve. Vendet neutral e, si Suedia, i patrullojnë enklavat serbe. Protektorati i OKB-së është shndërruar de facto në protektorat evropian. E pra, edhe fëmija e rrugës e di se ku shpien kjo. Shumica e evropianëve janë në konfrontim me shqiptarët meqë flirtojnë me Beogradin. Sa më shumë këso evropianësh në KFOR, aq më fort konflikt me shqiptarët.

Edhe organizimi i KFOR-it dëshmon qartë që është produkt evropian. Komanda e qe ndërzuar ekziston vetëm në letër, secili shtet i grah sipas interesit të vet. Ndonëse i është besuar një ndër rajonet më të ndjeshme të kontinentit, KFOR-i nuk ka as sot e kësaj dite një organ të përbashkët të inteligjencës. Të presësh bashkëpunim efektiv prej këtyre evropianëve është, thjesht, si të presësh nga një tufë hamshorësh të pshurrin njëherit.

Kthesa përfundimtare në relatat me KFOR-in ishte marsi i vitit 2004. Prej momentit kur dikush (kush? pse?) dha urdhër që të hapet zjarr veprues kundër civilëve të paarmatosur, mund të thuhet që KFOR-i ia ha paret priftit. Beogradi kishte këtu më shumë se dyfishin e KFOR-it, me përvojë e motivacion, e prapë s’ua ndali dot hovin e rebelimit shqiptarëve kur këtyre u vloi uji.

Është sinjifikative për vetkuptimin e KFOR-it dhe për dobësinë vendorëve që gjer sot nuk është hetuar asnjë nga 21 rastet fatale nga marsi i vitit 2004. Burimet e OJQ-ve lokale pohojnë se shumica e vrasjeve dhe plagosjeve u shkaktuan jo në grindje ndëretnike, po nga ushtarët e KFOR-it, që të stërvitur e të armatosur për luftë u rreshtuan para tinejxherëve të revoltuar. Ish-kryeadministratori finlandez, Harri Holkeri, pat premtuar botërisht, në prill të vitit 2004, se do të ngriste hetime të pavarura për çdo rast të përveçëm. Në shtetet prej ku vijnë ushtarët e KFOR-it do të bëhej hataja sikur të vriteshin 21 qen nga ushtria, pale më njerëz me emër e mbiemër. Por edhe ky premtim I ndërkombëtarëve shkoi aty ku shkuan premtimet tjera – në kosh të plehrave.

Prandaj, nuk është për t’u habitur pse shumica dërrmuese e shqiptarëve sot dëshiron t’u thotë shpëtimtarëve të dikurshëm: ju lumshin këmbët, e udha e mbarë. Mjerisht për të dy palët, për ne e për ushtarët e KFORt, duket se mendjet e atyre që i kanë planuar “negociatat” në Vjenë punojnë në drejtim tjetër.

Kosovën në Vjenë e pret statusi i kolonisë, së cilës, me sa shihet, nuk do t’i lejohet as në të ardhmen të merr përgjegjësi për mbrojtjen e vet. Zgjidhjet të cilat përfliten kuloareve përfshijnë një Përfaqësues të Lartë (lexo: Cezar) nga bashkësia ndërkombëtare, me të drejtë të vetos ndaj çdo vendimi vendor. Si dhe një prani të vazhduar ushtarake me afat të hapur.

Përse duhet të mbeten në Kosovë trupat e huaja, këtë e kupton sekush me dy fije mend në kokë. Jo për të na mbrojtur ne prej Beogradit. Po të ishte ky qëllimi, do të na mbronin përmes forcimit të ushtrisë së Kosovës. Qëllimi është, se Cezarit do t’i duhen legjionarë të besueshëm për t’ia ruajtur fronin. Në mendjen e planifikuesve neokolonial, është më e pranueshme që shpëtimtarët e dikurshëm të shndërrohen në mercenarë, se sa që shqiptarëve t’u njihet vetëvendosja.