KMDLNJ: Adem Demaçit të kujtohet me mauzole jo shtatore

Pesë ditë pasi ndërroi jetë Adem Demaçi (26.VII.2018), Qeveria e Kosovës, në përjetësim të veprës kolosale të Bacës Adem, në mbledhjen e datës 31 korrik 2018 mori vendim:

1.Ndërtimi i shtatorës së Adem Demaçit në lartësi prej (4) katër metrave që do të vendoset në parkun “Adem Demaçi” te rrethrrotullimi, në hyrje të Prishtinës.

2.Të emërohet autostrada Prishtinë – Pejë, “Autostrada Adem Demaçi”.

3.Që parku i qytetit në Prishtinë të emërohet “Parku Adem Demaçi”.

KMDLNj përkujton opinionin se autostrada Prishtinë – Shkup e që është emëruar “Autostrada Arbër Xhaferi”, ishte propozuar të emërohet “Autostrada Adem Demaçi” në kohën sa ishte gjallë Baca Adem por se ai kishte refuzuar dhe kishte propozuar të emërohej “Autostrada Hasan Prishtina” duke arsyetuar se përmes kësaj trajektorje , Hasan Prishtina e kishte çliruar Shkupin.Tash,Qeveria e Kosovës ka shpallur tender për shtatoren “Adem Demaçi” duke përcaktuar kriteret .

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut , kryetar i të cilit një kohë të gjatë ka qenë Baca Adem , ndërsa e ka bartur postin e Kryetarit të Nderit deri sa ka ndërruar jetë me 26.VII.2018 në Prishtinë, propozon që ky tender të shtyhet dhe plotësohet duke ia ndryshuar qëllimin dhe, në vend të jetë shatatorja “Adem Demaçi”duhet të propozohet “Mauzoleu Adem Demaçi”. Vendi ku aktualisht është varrosur Adem Demaçi është lokacion jo në përputhje me vlerat njerëzore, kombëtare, politike, etike, kulturore etj. të Bacës Adem dhe që ngërthen dimensionin global aq më parë që ishte Fitues i Merituar i “Çmimit Saharov” dhe shume çmimeve tjera ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Së shpejti po bëhet një vit kur Adem Demaçi ndërroi jetë dhe ambienti ku është varrosur nuk mirëmbahet , është i papastër, deri vonë shërbente si vendparkim, me një fjalë është një ambient i padinjitetshëm për një kolos të përmasave siç ishte Adem Demaçi,

KMDLNJ propozon që në sheshin ku parashihet të emërohet “Sheshi apo Parku Adem Demaçi” të ndërtohet “Mauzoleu Adem Demaçi” ku do të vendosej edhe arkivoli me mbetjet mortore të këtij kolosi që e afirmoi në planin global luftën për liri, të drejtat e njeriut dhe çlirim nga robëria e që e vulosi me sakrificën 30 vjeçare në burgjet e ish- Jugosllavisë dhe aktivitetin politik e kombëtarë thuaja 65 vjeçare. Gjithashtu, rreth këtij Mauzolen duhet të ndërtohet një infrastrukturë përcjellëse dhe për këtë duhet të shpallet një tender ndërkombëtar. KMDLNj vlerson se “Sheshi – Parku Adem Demaçi” ka hapësirë të mjaftueshme për një Kompleks Memorial e që do të ishte një histori e luftës shekullore për liri ku do të mësohej historia e vërtetë dhe se për këtë shembull më të mirë se Adem Demaçi nuk ka. Adem Demaçi nuk është Mendela i Ballkanit por është ,Adem Demaçi, i mbarë botës demokratike dhe simbol i të gjithe popujve që e duan lirinë dhe e cila u mohohet.

Që ky kompleks memorial të bëhet një tërësi shembullore e një sakrifice të jashtëzakonshme, Sheshi i Flamurit duhet të emërohet “Sheshi i Adem Jasharit ” ku do të vendosej një shtatore e Komandantit legjendar apo do të ndërtohej një kompleks që do të përfshinte sakrificën e papërsëritshme dhe unike në botë të familjes Jashari dhe të tjerëve që ishin me ta dhe ranë heroikisht dhe këto dy sheshe duhet të lidhen edhe fizikisht me ndonjë nënkalim apo në ndonjë formë tjetër.

Nëse edhe më tutje arkivoli me mbetjet mortore të humanistit të jashtëzakonshëm , bacë Adem Demaçi, do të qëndroi aty ku është atëherë do të kemi përgjegjesi historike, njerëzore, kombëtare dhe morale për trajtim nën çdo dinjitet të vlerave njerëzore dhe kombëtare të përmasave botërore, thuhet në këtë komunikatë për opinionin nga KMDLNJ.