Koha kur ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë e kishte refuzuar kërkesën turke për ekstradim

Presidenti i Turqisë, Reccep Tayip Erdogan, kërkonte gjithandej favore nga shtetet e Ballkanit Perëndimor për dorëzimin e ‘gylenistëve’ që vepronin dhe jetonin gjetiu në Maqedoni të Veriut, Shqipëri e Kosovë.

Për një mision të tillë gjatë tetorit të vitit 2018 për një vizitë në Tiranë, Shkup e Prishtinë e kishte dërguar ministrin e Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlut Cavusoglu, i cili në konferenca për shtyp përsëriste hapur kërkesën e Erdoganit për deportim të ‘gylenistëve’ drejt Turqisë.

Një kërkesë të tillë të Cavusoglusë në konferencën për media të tetorit të vitit 2018 e kishte kundërshtuar menjëherë  Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati.

Bushati kishte thënë se Shqipëria është shtete që pretendon anëtarësim në  Bashkim Evropian, anëtare e NATO-së dhe se ka obligime kontraktuale të cilat duhet respektuar kur bëhet fjalë për ekstradime të mundshme.

Ish-kryediplomati shqiptar kishte bërë të ditur se do të respektonte rrugët diplomatike për çështje të tilla dhe se do të respektonte të gjitha rregulloret e Bashkimit Evropian.

Në konferencën për media, Bushati i kishte bërë me dije homologut turk se nuk mund të ndodh një gjë e tillë aq më pak përmes konferencave për shtyp.

“Përsa i përket çështjes që ju shtroni, përgjigja e shtetit shqiptar është ajo përgjigje që i kemi dhënë qoftë Turqisë, por dhe në planin ndërkombëtar. Shqipëria ka qenë një ndër vendet e para që është solidarizuar me ç’ka ndodhi në Turqi, në rrethanat e grushtit të shtetit, por nga ana tjetër, është një vend anëtar i NATO-s, është një vend kandidat për në BE, ka aderuar në disa dokumente të rëndësishme ndërkombëtare në fushën e ekstradimit dhe çdo politikë e tillë, ndiqet në rrugë diplomatike dhe asesi në konferenca shtypi” kishte deklaruar Bushati.

Ndërkohë tashmë kur Bushati nuk është ministër, Rama i është nënshtruar presionit të Erdoganit. Ditën e parë të vitit 2020 shteti shqiptar ia ka dorëzuar një ‘gylenist’ Erdoganit.

Në procesin e deportimit të 42-vjeçarit Harun Çelik nga Shqipëria është përfshirë edhe inteligjenca e Turqisë, njëjtë sikur në rastin e Kosovës kur nga Prishtina u deportuan gjashtë shtetas turq./GazetaExpress/