Kompleksi historik i Jasharëve në rrezik, shpresë se Qeveria e re do ta riparojë

Edhe 28-vjetori i sulmit të parë ndaj familjes Jashari nga forcat serbe, i gjen në këtë gjendje shtëpitë që i rezistuan kohës.

Ndonëse që nga paslufta e deri tani janë ndarë rreth 10 milionë euro për investime në kompleksin memorial të familjes Jashari, ky projekt ende nuk ka përfunduar, raporton KTV.

Në qershor të 2019-s u planifikua që të nisë konservimi i kullave të Jasharëve, duke ndarë rreth 3 milionë euro nga buxheti i shtetit, por kjo gjë nuk ndodhi.

Madje, pikërisht për menaxhimin e punëve në këtë vend, si dëshmi e luftës në Kosovë, u formua komiteti ndër-ministror prej 15 anëtarësh, komision ky që u shua me dorëheqjen e kryeministrit Ramush Haradinaj.

Drejtori i Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale, Bislim Zogaj, thotë se edhe më 2019 nuk u punua mjaftueshëm, derisa shpreson se Qeveria e re do të ndërmarrë diçka për këtë.

E më shumë se 400 mijë qytetarë e vizituan Prekazin vetëm gjatë vitit 2019. Ata thonë se këto shtëpi janë të rëndësishme për historinë e vendit, duke kërkuar nga institucionet interesim më të madh.

Zyrtarë komunalë e krerë shtetërorë çdo vit vazhdojnë traditën e tyre, duke vizituar këtë vend vetëm në përvjetorë të ndryshëm. / Koha.net