Komuna e Obiliqit kërkon reagim të institucioneve gjegjëse për tymin në termocentrale

Komuna e Obiliqit ka reaguar pas shfaqjes së reve të tymit të zi mbi termocentralet Kosova A dhe B.

Ata thonë se situata e krijuar në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), tymi nga të gjithë tymtarët si dhe zhurmat nga e gjithë teknologjia e po ashtu testimet e vazhdueshme, tanimë janë bërë të papërballueshme për të gjithë banorët e komunës së Obiliqit e me theks të veçantë banorët në fshatrat Dardhishtë, Hade, Lajthishtë e Palaj.

Sipas tyre, banorët e këtyre fshatrave ndihen të pa sigurt dhe të dëmtuar nga pluhurat.

“Për shkak të mos respektimit të Ligjit të Obiliqit, për krijim të brezit të sigurisë, tani është krijuar kjo gjendje ku Obiliqi, Plemetini e pothuajse i gjithë territori i komunës nga zhurmat e krijuara në TC “Kosova B” e këto ditë janë shtuar edhe tymtarët me tymin dhe pluhurin e vazhdueshëm, jetën e kanë edhe më të vështirësuar, e kjo është cekur në vazhdimësi nga udhëheqja e komunës duke rikujtuar edhe operatorit obligimet që dalin nga Ligji për Obiliqin”, thuhet tutje në njoftimin e tyre.

Sipas Komunës së Obiliqit, reagimet e vazhdueshme të komunës ndaj KEK-ut si dhe apeli te organet gjegjëse konkretisht te MMPH-ja, kanë hasur në vesh të shurdhër, ku sipas tyre, kanë harruar obligimet që kanë ndaj komunitetit ku operojnë, obligime këto të cekura me Ligjet në fuqi të Republikës së Kosovës.

“Prandaj edhe sot, komuna e Obiliqit kërkon ndihmë nga Qeveria e Kosovës gjegjësit nga Ministria e Planifikimit dhe departamentet përkatëse të saj që merren me trajtimin e këtyre çështjeve kaq delikate”, thuhet tutje në njoftim.