Komuna e Podujevës miraton Kornizën Afatmesme Buxhetore

Kuvendi i Komunës të Podujevës, në mbledhjen e rregullt, të mbajtur sot, miratoi Kornizën Afatmesme Buxhetore 2020/22 dhe vendimin për vënie në diskutim publik të Rregullores për orarin e punës për bizneset që operojnë në territorin e Komunës së Podujevës.

Lidhur me pikën e parë të rendit të ditës, drejtori për Buxhet dhe Financa Isuf Latifi, para kuvendarëve ka prezantuar Kornizën Afatmesme Buxhetore, për të cilën tha se është pjesë përbërëse e Kornizës afatmesme të shpenzimeve (KASH) të Kosovës dhe është ndërtuar në përputhje me procedurat buxhetore 2020/2022 të dhëna nga Ministria e Financave (MF) përmes Qarkores Buxhetore 2020/01.

“Korniza Afatmesme Buxhetore (KAB) 2020-2022, në përputhje me Qarkoren Buxhetore për komuna 2020/01 dhe ligjin mbi Menaxhimin e Financave dhe Përgjegjësive Financiare përmban strategjinë fiskale të Komunës për periudhën e ardhshme tre vjeçare. Korniza Afatmesme Buxhetore shërben si dokument kryesor i planifikimit të politikave të komunës dhe si e tillë paraqet komponentë të rëndësishme të procesit të përgjithshëm buxhetor”, tha drejtori Latifi.

Në bazë të kornizës buxhetore komunale, buxheti i përgjithshëm i Komunës së Podujevës për vitin 2020 është planifikuar të jetë 23,957, 419 euro, prej të cilave 22,539,858 nga granti qeveritar, kurse 1,416,561 është planifikuar të realizohen nga të hyrat vetanake. Në planifikimet buxhetore për vitin 2020, për pagat dhe mëditje janë planifikuar 14,013,981 euro, mallrat dhe shërbime 2,219,352 euro, për subvencione 660,050 dhe për investime kapitale 7,063,036 euro.

Pas diskutimeve lidhur me këtë çështje, Kuvendi miratoi Kornizën Afatmesme Buxhetore 2020/22.

Në mbledhjen e sotme Kuvendi miratoi edhe vendimin për vënie në diskutim publik të Rregullores për orarin e punës për bizneset që operojnë në territorin e Komunës së Podujevës, e cila u prezantua nga Drejtori i Planifikimit dhe Zhvillimit Ekonomik, Mirsad Kamerolli.

Drejtori i Drejtorisë së Arsimit, Agim Blakçori, në mbledhjen e sotme informoi Kuvendin për organizimin e garave në Komunën e Podujevës në kuadër të Programit Nacional për Rini, Kulturë dhe Sport, njofton Zyra për Marrëdhënie me Publikun dhe Informim e Komunës së Podujevës.