Komuna e Prizrenit dhe kompania Abi akuzojnë njëra-tjetrën

Intervenimi i Inspektoratit të Komunës së Prizrenit për rrënim në një pjesë të Qendrës Tregtare “Abi Çarshia” ka shkaktuar reagime, që kanë vazhduar edhe gjatë ditës së shtunë. Të shtunën në mëngjes, janë mbajtur protesta nga stafi dhe punëtorët e kësaj qendre, ndërkohë që me ta janë solidarizuar edhe subjekte tjera.

Në anën tjetër, drejtori i Inspektoratit, Islam Thaçi, ka mbajtur një konferencë shtypi, në të cilin ka deklaruar se vendimi për rrënim është marrë në bazë të ligjit.

“Komuna e Prizrenit nuk është kundër asnjë biznesi apo investimi, dhe të gjitha veprimet që i bënë janë në bazë të ligjeve në fuqi dhe obligimeve ligjore që na detyrojnë për të vepruar”, thotë ai. Drejtori thekson se ligji është mbi të gjitha dhe se Komuna është e përkushtuar që ta respektojë atë.

Ndërsa Komuna e Prizrenit ka postuar një njoftim, ku thekson se: Objekti Abi Çarshia është pajisur me leje ndërtimore në datën 11.04.2017 nga Drejtoria e Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor, nga ish drejtori i atëhershëm.

Inspektimi i parë i punimeve nga Drejtoria e Inspektorateve është bërë më 19.04.2017, ku sipas shënimeve në procesverbal është konstatuar se faza e punimeve në të cilën gjendet, lë të kuptohet se punimet kishin filluar shumë më herët se sa pajisja e pronarit me leje ndërtimore, ndërkaq çuditërisht ky ka qenë inspektimi i vetëm gjatë vitit 2017, edhe përkundër urdhëresës në procesverbal që të sillet për dëshmi inçizimi i gjendjes faktike në terren.

Inspektimi i radhës është bërë më 07.05.2018, ku sipas gjetjeve të inspektorëve përgjegjës është konstatuar se objektet e kompleksit nuk janë të ndërtuar sipërfaqësisht sipas kopjes së planit të lëshuar nga Drejtoria e Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor, dhe në dy inspektimet e radhës brenda afatit 10 ditësh investitori refuzon t’i ndërpret punimet, duke e shpërfillur urdhërin e Drejtorisë së Inspektorateve, e cila kishte vendosur edhe shiritat për ndalim punimesh dhe ka shqiptuar gjoba mandatore.

Më 05.07.2018 është ngritur kallëzim penal ndaj investitorit për shkak të largimit të shiritave për ndalim të punimeve dhe po gjatë muajit korrik investitori I.Fusha, ka kërkuar “plotësim ndryshimin e lejes ndërtimore” në Drejtorinë e Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor.

Me datën 23.07.2018, Drejtoria e Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor ka marrë vendim për riformulimin e lejes ndërtimore në bazë të planit rregullues urban “Zona Tregti, Industri e Vogël dhe Banim”, duke e pajisur me leje një pjesë ku nuk i pengon këtij plani, ndërsa pjesa tjetër e objektit, i cili është i vendosur në hapësirën ku sipas planit parashihet ndërtimi i rrugës, ka mbetur pa leje duke u vlerësuar si ndërtim i kundërligjshëm.

Më 26.07.2018 investitori ka deklaruar se nuk do të zhvillojë punime të mëtutjeshme në atë pjesë të objektit ku nuk ka leje, duke bërë kërkesë sërish për plotësim-ndryshim të lejes, si dhe ka deklaruar se në qoftë se nuk mund të pajiset me leje, do të bëhet rrënimi vullnetar nga vetë ana e investitorit.

Në ditët në vazhdim janë bërë edhe inspektime të tjera dhe është konstatuar se investitori nuk i ka qëndruar deklaratave të veta dhe ka vazhduar punimet e kundërligjshme në pjesën ku objekti nuk ka leje.

Kjo e ka detyruar Drejtorinë e Inspektorateve që më 31.07.2018 të marrë vendim për ta urdhëruar investitorin që në afat prej 15 ditësh ta bëjë rrënimin vullnetar të objektit, në të kundërtën rrënimi do të bëhet në mënyrë të dhunshme nga vetë ana e Inspektoratit.

Më 24.08.2018 Drejtoria e Inspektorateve ka njoftuar investitorin se pas tre ditësh do të fillojë ekzekutimin e vendimit për rrënimin e dhunshëm të pjesës së objektit të ndërtuar pa leje dhe më 27.08.2018 në ora 10:00 ka dalur në terren për ta ekzekutuar këtë vendim.

Me fillim të punimeve për rrënim të objektit, investitori sërish është deklaruar se do ta bëjë rrënimin vullnetar për t’i ikur shpenzimeve shtesë (procesverbali në foto) dhe në të njëjtën ditë ka ardhur vendimi nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, e cila ka aprovuar ankesën e investitorit si të bazuar dhe njëkohësisht ka anuluar vendimin e Drejtorisë së Inspektorateve për rrënim, duke i detyruar organet komunale të veprojnë konform Ligjit për Trajtimin e Ndërtimeve Pa Leje, ligj ky i cili në momentin e marrjes së vendimit nga ana e ministrisë nuk ka qenë në fuqi, andaj edhe vendimi ka qenë i paligjshëm dhe jofunksional.

Megjithatë, Drejtoria e Inspektorateve ka zbatuar vendimin e ministrisë, kurse investitori e ka shkelur vendimin e ministrisë, duke vazhduar me punimet e vrazhda në ndërtimin e objektit pa leje, madje edhe duke i funksionalizuar 8 lokale, me anë të dhënies me qira ndaj afaristëve të ndryshëm në objektin pa leje ndërtimore dhe pa pranim teknik (certifikatë të përdorimit).

Përkundër aktvendimit për ndalim punimesh më 10.04.2019 nga Drejtoria e Inspektorateve, investitori ka vazhduar me punime të vrazhda duke i dëmtuar shiritat zyrtare për ndalim të punimeve. Me këtë rast, Drejtoria e Inspektoratit obligohet të nxjerrë aktvendim më 27.06.2019 për rrënimin vullnetar të tejkalimit të punimeve në pjesën pa leje të objektit në afat prej 15 ditësh.

Investitori pasi që përsëri nuk i respektoi urdhërat e Inspektoratit për rrënim vullnetar, Drejtoria e Inspektorateve ka filluar rrënimin e dhunshëm të pjesës së objektit pa leje më 19.07.2019.

Këtu vlen të theksohet edhe njëherë se ka munguar asistimi i Policisë së Kosovës gjatë intervenimit të Inspektoratit, edhe pse është bërë disa herë kërkesa për asistim, ndërkaq gjatë intervenimit Inspektorati ka hasur në pengesa të ndryshme ku është bërë pengimi i personave zyrtarë në kryerjen e detyrës zyrtare.

Drejtoria e Inspektorateve gjatë ditës së ekzekutimit i ka njoftuar të gjithë bizneset afariste që shfrytëzojnë hapësirat e objektit pa leje, që t’i lirojnë ato në mënyrë që të mos ketë dëme materiale tek ato biznese, edhe pse një gjë e tillë është dashur të bëhet nga ana e vetë investitorit në momentin kur e ka pranuar konkluzionin për ekzekutim nga Inspektorati.

Drejtoria e Inspektorateve ka dhënë afat prej 24 orëve këtyre bizneseve që t’i lirojnë hapësirat e tyre shfrytëzuese dhe më pas do të vazhdojë me ekzekutimin e vendimit për rrënim të objektit, përfundon njoftimi i Komunës së Prizrenit.

Ndërkaq, siç raporton Televizioni i Prizrenit, me ftesë të pronarëve të kompanisë “ Abi Çarshia”, të shtunën është mbajtur një protestë paqësore në ambientet e këtij kompleksi afarist. Pjesë e kësaj proteste ishin punëtorë të kompanisë, biznese të cilat e ushtrojnë veprimtarinë e tyre në këtë kompleks, përfaqësues të partive politike dhe qytetarë.

Avokati i kompanisë, Taulant Hodaj, sipas raportimit të Televizionit të Prizrenit edhe një herë tha se veprimi i Inspektoratit ka qenë i kundërligjshëm, pasi që sipas tij, nuk janë respektuar vendimet që duhej zbatuar në radhë të parë atyre të ministrisë së Mjedisit. Përfaqësuesit e punëtorëve të kësaj kompanie dhe bizneseve që e ushtrojnë veprimtarinë në këtë kompleks, thanë se veprimi i komunës së Prizrenit, ju ka sjellë dëme të mëdha atyre dhe kërkojnë që në radhë të parë kryetari, Mytaher Haskuka, të angazhohet në zgjidhjen e kësaj çështje jetike për ata. Në mbështetje të kësaj proteste, kishin dalur edhe zyrtarë të degës së AAK-së dhe PDK-së në Prizren. Punëtorët e kësaj kompanie, shprehen shqetësimet e tyre se me veprimin e djeshëm të komunës së Prizrenit, po iu rrezikohet vendi i punës dhe sigurimi i mirëqenies për familjet e tyre.

Drejtoria e Inspektorateve të premten ka zhvilluar aksionin për rrënimin e pjesës pa leje të objektit të qendrës tregtare “Abi Çarshia”. Aksioni i nisur rreth orës 10:00, ka zgjatur gjatë tërë ditës.

Pronari i “Abi Çarshia”, Alajdin Fusha, dhe avokati i kësaj kompanie, Engjëll Rexhepi, atë ditë kanë mbajtur një konferencë për shtyp. Sipas raportimit të Televizionit të Prizrenit, Fusha, tha se veprimi i pushtetit lokal është kundërligjor, pasi objektet janë në pronën legjitime të kompanisë e jo në hapësira publike. Ai paralajmëroi se pas këtyre veprimeve të Inspektoratit, pronarët e kompanisë “ Abi” do të shqyrtojnë mundësinë që nga dita e hënë të ndalin çdolloj veprimtarie të kësaj kompanie, dhe do të detyrohen të lënë të papunë mijëra të punësuar. Në anën tjetër, avokati i kompanisë “ Abi”, Engjëll Rexhepi, tha gjithashtu se veprimet e sotme të Inspektoratit janë krejtësisht të paligjshme, dhe të gjitha dëmet që janë shkaktuar nga rrënimet e sotme do të paguhen nga buxheti i komunës së Prizrenit, pasi që do të ankohemi në të gjitha instancat kompetente.

Për këtë çështje kanë reaguar edhe Shoqata Zejtare dhe Afaristëve Prizren, Esnaf dhe Sofra.

“Pa u implikuar në proceset ligjore, ne si komunitet i biznesit, mendojmë që çështja e rrënimit të objekteve afariste në sezonë nuk është pasqyrë e mirë e afarizmit dhe të bërit biznes, sidomos në kohën ku prezenca dhe frekuentimi i bashkëatdhetarëve dhe vizitorëve të huaj është i madh.

Po ashtu edhe kontrollet e shtuara nga ana e inspektorateve të ndryshme ndaj bizneseve në sezonë është mjaft rënduese. Prandaj mendojmë dhe kërkojmë që të gjitha këto veprime të prolongohen deri në përfundimin e sezonit”, thuhet në reagimin e ZES-it.