Komuna e Skenderajit angazhohet për respektim të ligjit

Inspektorët e Komunës në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, kanë mbyllur një lokal muzike në Komunën e Skenderajit, për shkak se pronari i tij nuk ka pas leje/pëlqim nga Komuna, për veprimtarinë që zhvillohej aty.

Fillimisht pjesëtarët e Policisë së Kosovës kanë kryer bastisje në lokal, e më pas inspektorët e kanë mbyllur, me arsyetimin e lartcekur.

Në funksion të rregullit urban dhe lirimit të hapësirave publike për këmbësorë, Inspektorët kanë zhvilluar edhe një aksion tjetër, me ç’rast kanë larguar disa tezga shitëse në rrugën “Ilaz Kodra”.

“Komuna e Skenderajt po vazhdon me përkushtim të krijojë rregull sa i përket ndërtimeve dhe vendosjes pavend të tezgave apo shitësve ambulantë, duke bllokuar kështu hapësirat e dedikuara për këmbësorë”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga Zyra për Informim e Komunës së Skenderajit.