Komuna e Vitisë me masa kundër përhapjes së COVID-19

Kryetari i Komunës së Vitisë Sokol Haliti përmes një adresimi në Facebook, ka njoftuar qytetarët e kësaj komune në lidhje me masat e ndërmarra deri më tash për përballimin e përhapjes së pandemisë me koronavirus, si pasojë e të cilit deri më tash janë prekur 18 persona.

Ai ka thënë se institucionet komunale janë në ballë të përpjekjeve të përbashkëta për ta përmirësuar gjendjen dhe duke iu falënderuar donatorëve të ndryshëm janë siguruar pajisje mbrojtëse për stafin mjekësor, mbi 2000 pako ushqimore e higjienike dhe sasi e konsiderueshme e miellit dhe patates.

Shkrimi i plotë:

Të nderuar qytetarë!

Komuna e Vitisë sot ka hyrë në muajin e dytë nën masën e izolimit, shkaku i Pandemisë me Covid-19. Kjo e keqe goditi së pari Vitinë, por fatkeqësisht u përhap edhe në pjesë tjera të vendit. Me të kuptuar se ne tashmë kishim rastet e para të të infektuarve n ë Kosovë, menjëherë ndërmorrëm masat e nevojshme, kurse dy ditë më herët kishim formuar Komitetin Komunal për Mbrojtje dhe Shpëtim. Që nga ai moment, për çdo ditë, në çdo formë dhe me krejt forcat, nuk jemi ndalur, por kemi qenë në shërbim të qytetarëve, duke u përpjekur që ta parandalojmë përhapjen e sëmundjes.

-Në koordinim me komponentën shëndetësore dhe të sigurisë, në bashkëpunim me institucionet, shoqatat, donatorët, këshillat e fshatrave, bashkësitë fetare dhe mekanizma tjerë, ne jemi të përkushtuar qind për qind që të jemi përkrahë jush në të gjitha aspektet.

-Personelin shëndetësor, e vendosëm në gjendje gatishmërie, në vijën e parë të frontit. Kurse një pjesë, si masë parandaluese, e vetizoluam pasi kishte pasur kontakt me të infektuarin e parë.

-Gjurmuam kontaktet e mundshme të rasteve të para me Covid-19 por identifikuam edhe rastet që kanë ardhur nga shtetet tjera.

-Qëndr uam në kontakt të vazhdueshëm me institucionet qendrore për të bashkërenduar veprimet. Siguruam pajisje mbrojtëse si dorëza, maska, rroba mbrojtëse si dhe mjete dhe material shpenzues medicinal.

-Koordinuam dhe harmonizuam veprimet dhe aktivitetet me Policinë e Kosovës në funksion të zbatimit të masave dhe vendimeve të institucioneve qendrore për të parandaluar përhapjen e virusit.

-Dërguam ekipet mjekësore për kontrolle mjekësore dhe funksionalizuam edhe dy punkte shëndetësore si dhe hapëm një punkt të ri. Por, trajtuam edhe pacientët tjerë me probleme kronike shëndetësore.

-Mbajtëm në funksion shërbimet esenciale të administratës komunale dhe publike. Por vazhdimisht po dezinfektohen objektet dhe hapësirat publike si dhe po klorizohen dhe pastrohen rrugët dhe trotuaret.

-Institucionet komunale, administrata, shërbimet publike dhe shërbimet tjera dhe drejtoritë përkatëse janë po ashtu në ballë të përpjekjeve të përbashkëta për ta përmirësuar gjendjen.

-Për shkak të kufizimit të qarkullimit, gjendja ekonomike është rënduar. Në këtë situatë shumë donatorë na dolën në ndihmë. Përmes tyre deri tani siguruam pajise mbrojtëse për stafin mjekësor, mbi 2000 pako ushqimore e higjienike dhe sasi e konsiderueshme e miellit dhe patates.

-Ne bashkërenduam veprimet dhe vendimet edhe me subjektet politike të Komunës së Vitisë, pa dallim. Kështu Kuvendi Komunal ndau 100 mijë euro nga buxheti komunal, për të mbështetur luftën kundër koronavirusit.

-U koordinuam shumë mirë edhe me këshillat e fshatrave, si hallka të rëndësishme të zinxhirit të punës sonë. Përmes tyre komunikuam me qytetarët dhe u harmonizuam për të shpërndarë të mirat materiale për familjet në nevojë. Po ashtu në këtë drejtim punuam edhe me organizata e shoqata tjera si Kryqi i Kuq, Shoqata “Nëna Terezë”, etj.

Gjithashtu bashkëpunuam ngushtë me m ediat për të pasqyruar gjendjen dhe për të përçuar informata dhe mesazhe.

-Faleminderit të gjithëve: punëtorëve shëndetësorë, zyrtarëve policorë, punëtorëve teknikë, shërbyesve civilë, këshillave të fshatrave, diasporës vitiase, donatorëve, shoqatave e organizatave, punëtorëve të arsimit, individëve, subjekteve politike, mediave dhe të gjithë të tjerëve…për kontributin që po e jepni në funksion të përmirësimit të situatës. -Por, fatkeqësisht ditëve të fundit, rastet janë shtuar. Për më tepër, sipas profesionistëve, tani kemi hyrë në një fazë më të vështirë, prandaj duhet vëmendje dhe përkushtim më i madh. Jo vetëm ne, kundër pandeminë po lufton e gjithë bota. Prandaj, bëhuni edhe ju pjesë e këtyre përpjekjeve globale, sepse, më meritorët për fitoren kundër Koronavirusit jeni JU. Ndiqni udhëzimet e institucioneve dhe ekspertëve:

Rrini në shtëpi!

Mbajeni higjienën!

Mbani distancën!

Bashkë do t’ia dalim shpejt!