Komunat në veri po alikojnë masat e Serbisë ndaj Coronavirusit

Dy komunat në veri të Kosovës, Mitrovica e Veriut dhe Zveçani, tashmë si masë mbrojtëse për parandalimin e përhapjes së Covid-19, që njihet si koronavirusi i ri, kanë aplikuar futjen në karantinë.

Qeveria e Kosovës në detyrë, konfirmon se ka kontakte me zyrtarët e të dy komunave, por nuk sqaron se pse këto komuna vazhdojnë të aplikojnë masat e shtetit të Serbisë, për luftë kundër koronavirusit.

Zyrtarët e Qeverisë së Kosovës në detyrë kanë theksuar se Ministria e Shëndetësisë është plotësisht e përfshirë në situatën emergjente të shëndetit publik në komunat veriore të vendit, në Mitrovicën e Veriut dhe në Zveçan.

Përparim Kryeziu, zëdhënës i Qeverisë së Kosovës në detyrë, ka thënë për Radion Evropa e Lirë që ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia është në kontakt të rregullt me kryetarët dhe autoritetet përgjegjëse në këto komuna.

“Duhet t’ia rikujtojmë vetes se po ballafaqohemi me një krizë shëndetësore, për çka të gjitha institucionet e përfshira janë në koordinim dhe bashkëpunim të ngushtë me qëllim të tejkalimt të kësaj krize sa më shpejt e me sa më pak dëme. Ky virus nuk njeh as racë e as nacionalitet, prandaj edhe trajtimi i tij dhe diskutimi mbi të as nuk mund dhe as nuk duhet të trajtohet mbi këto baza”, ka thënë Kryeziu.

Megjithatë, zyrtarët e Qeverisë së Kosovës nuk kanë dhënë ndonjë sqarim, apo koment, lidhur me situatën në të cilën Shtabi i krizës për luftë kundër koronavirusit në Mitrovicën e veriut dhe ai në Zveçan, kanë ndërmarrë masa që bien ndesh me ato që tashmë janë në fuqi nga Qeveria e Kosovës.

Ndalimi i lëvizjes, në bazë të masave të Qeverisë së Kosovës, është në fuqi nga ora 17 deri në orën 6 të mëngjesit, për çdo ditë.

Komuna e Mitrovicës së Veriut, që nga ora 18 e ditës së premte, më 3 prill, është në karantinë. Një vendim të tillë e ka sjellë Shtabi i krizës për luftë kundër koronavirusit i kësaj komune në veri të Kosovës.

Gjithashtu, është vendosur që të gjitha shitoret në territorin e kësaj komune të mbyllen që nga ora 13 e ditës së shtunë, më 4 prill e deri të hënën, më 6 prill, në orën 5 të mëngjesit. Qytetarët e Mitrovicës së Veriut, deri në momentin e mbylljes së dyqaneve kanë shkuar për të blerë mallra të konsumit të përditshëm.

Me vendimin e Shtabit të krizës në karantinë është futur edhe vendbanimi shumetnik Lagjja e Boshnjakëve në Mitrovicë të Veriut, banorët shqiptarë të së cilës po e kundërshtojnë ndalimin e shkuarjes për furnizim në anën jugore të qytetit të Mitrovicës, nga e cila i ndanë lumi Ibër.

Zëvendëskryesuesi i Kuvendit të Mitrovicës së Veriut, Bashkim Cimili, nga Radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë që masat për tu përballur me Covid-19, që njihet si koronavirusi i ri, janë të domosdoshme, por ato duhet t’i ndërmarrë Qeveria e Kosovës dhe jo institucionet paralele.

“Lidhur me futjen e në karantinë të Mitrovicës së Veriut, unë mendoj që në një vend ku ka njerëz të infektuar me Covid-19, është në rregull që të futet në karantinë. Por, kam pritë nga institucionet qendrore, përkatësisht nga Ministria e Shëndetësisë, që të marrin një hap të tillë e asnjëherë nuk kam pritur që këtë ta bëjnë strukturat paralele të Serbisë, të vendosura në Mitrovicën e Veriut. Deri më tash, nga Qeveria e Kosovës nuk kemi asnjë të mirë, asnjë telefonatë dhe mendoj që nuk është kujdesur deri më tash aspak”, tha Cimili.

Rreth tre kilometra nga qendra e Mitrovicës, Shtabi i krizës në komunën e Zveçanit ka vendosur edhe masat e ndalimit të lëvizjes për të gjithë qytetarët prej orës 13 të ditës së shtunë e deri në orën 5 të mëngjesit të ditës së hënë, masa këto që janë në fuqi edhe në Serbi.

Deri të premten në mbrëmje, në Mitrovicën e veriut dhe në Zveçan janë identifikuar 16 persona të infektuar me virusin Covid-19, që njihet si koronavirusi i ri.

Lumi Ibër e ndan Mitrovicën në Jug, të banuar kryesisht me shqiptarë nga Veriu, i banuar nga serbët/REL/.