Komunitetet pakicë, të hapura për bashkëpunim me Kurtin

Udhëheqësit e partive politike të pakicave në Kosovë, presin që të jenë pjesë e Qeverisë së ardhshme të Kosovës, e udhëhequr nga Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Siç theksojnë ata, Kushtetuta u garanton që ata të jenë pjesë e qeverisë, pavarësisht se partia me të cilën ata kanë bashkëpunuar deri më tani, Partia Demokratike e Kosovës, ka shkuar në opozitë. Ndërsa, kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, në disa raste, Kurti tha se Lista Serbe, gjithashtu duhet të shkojë në opozitë.

Bisedimet për formimin e një Qeverie të re të Kosovës midis Lëvizjes Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit, si dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës, si parti e dytë fituese në këto zgjedhje, janë duke vazhduar. Kandidati për kryeministër i Vetëvendosjes, Albin Kurti, disa herë ka thënë se si pjesë e Qeverisë, do të përfshihen edhe grupet minoritare.

Sipas tij, Lista Serbe, duhet të hyjë në opozitë pasi, siç thotë ai, nuk është “parti por shtet”. Kurti thotë se, për forminin e qeverisë së re, së pari do të diskutojë me politikanët serbë që e njohin Kosovën, kundërshtarë të Listës Serbe në zgjedhjet e 6 tetorit.

Por, përkundër kësaj, përfaqësuesit e Listës Serbe, konkretisht Dalibor Jevtiç, nënkryetar i kësaj partie, u ka thënë mediave të Beogradit se “pa folur me Listën Serbe, në asnjë opsion, nuk është i mundur formimi i një qeverie të re të Kosovës, sepse siç ka thënë ai, këtë e e garanton edhe Kushtetuta e Kosovës dhe ligjet e saj”. Nga ana tjetër, Slobodan Petroviç, kryetar i Partisë së Pavarur Liberale, në një prononcim për redaksinë e komuniteteve në Radio Kosovën 2, tha se është i bindur që partia e tij, do të marrë një mandat në qeverinë Kurti. “Jemi gati të bisedojmë me të gjithë ata që drejtojnë institucionet e Kosovës. Kurti kurrë nuk ka qenë në pushtet, por nga përvoja gjatë punës në parlament, partia e tij ka qenë “konsistente në pikëpamjet e saj”, thotë Petroviq.

Ndërsa, Nenad Rasiq, kryesues i Koalicionit Liria, i tha Radio Kosovës 2, se edhe ai është i gatshëm të bashkëpunojë me Albin Kurtin në Qeverinë e ardhshme të Kosovës.

“Koalicioni Liria, kishte një program të ngjashëm me Lëvizjen Vetëvendosje, në fushatën zgjedhore. E çmoj angazhimin e Kurtit për përfshirjen e serbëve të Kosovës në dialog, në mënyrë që të mbrojë interesin e komunitetit serb në Kosovë, thotë Rashiq.

E nga partitë politike boshnjake në Kosovë, Koalicioni Vakat dhe Partia e Re Demokratike, me kryesuesin Rasim Demiri, shpreson që entiteti boshnjak, të jetë pjesë e qeverisë së ardhshme.

“Deri më tani kemi pasur bashkëpunim të mirë. Unë mendoj se nuk ka asnjë dilemë që komuniteti boshnjak do të jetë pjesë e qeverisë, “tha Demiri.

Kryetari i Partisë Demokratike Turke të Kosovës, Mahir Jaggjillar kujton se bashkësitë e pakicave i kanë 20 vende të garantuara në Kuvend, dhe se ata do të mbrojnë interesat kombëtarë të komuniteteve. Edhe përfaqësues të Komuniteteve të tjera, goranë, romë, ashkali dhe egjiptianë në Kuvendin e Kosovës, në bisedë për redaksinë e komuniteteve në Radio Kosovë 2, theksojnë se së bashku me përfaqësuesit e grupit parlamentar 6 plus, që bashkon deputetë jo-serbë, do të harmonizojnë kërkesat e tyre për t’u bashkuar me koalicionin qeverisës.

Ndryshe, sipas Kushtetutës së Kosovës, një ministër në Qeverinë e Kosovës duhet të jetë nga komuniteti serb dhe një nga një komunitet tjetër jo-shumicë i Kosovës. Nëse qeveria i ka më shumë se 12 ministri, atëherë ajo duhet të ketë një ministër të tretë nga komunitetet jo-shumicë. /RTK/