Konfirmohet: 6.8 milionë euro suficit në Komunën e Prizrenit

Zyra Kombëtare e Auditimit kapublikuar Raportin e saj të auditimit për Komunën e Prizrenit për vitin 2018.

Raporti i Auditimit për vitin 2018 jep konstatimin përfundimtar mbi vlerën e suficitit apo buxhetit të pashpenzuar nga Komuna e Prizrenit gjatë këtij viti. Sipas këtij raporti, Komuna e Prizrenit nuk ka qenë në gjendje të shpenzojë plot 6.8 milionë euro në vitin 2018. Mbi 5.4 milionë janë vetëm nga kategoria për investime kapitale, përmes së cilës realizohen projektet e përmirësimit të infrastrukturës sikurse rrugë, trotuare, kanalizim, ndriqim, parqe etj.

Për më tepër, Raporti i Auditorit konstaton se Komuna e Prizrenit nuk ka qenë në gjendje të shpenzojë as grantet e fituara nga donatorët duke shpenzuar vetëm 30% të vlerës për shkak të, siç cilësohet, pamundësisë së komunës për të planifikuar dhe menaxhuar mirë me buxhetin e fondeve në dispozicion nga donatoret.

Krahas kësaj, afër 1 milion euro janë shpenzuar “gabimisht” nga kategoria e investimeve kapitale. Këto mjete janë shpenzuar kryesisht për kontratat: Fshirja dhe larja e rrugëve; Furnizimi i fermerëve me farë gruri dhe misri; Sigurimi fizik i objektit; Subvencionimi i klubeve sportive; Manifestimet e festave të Qershorit, e që trajtohen si mallëra, shërbime apo subvencione.

Raporti i Auditorit konfirmon se Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, është pajtuar me gjetjet dhe konkluzionet e auditimit, si dhe është zotuar se do t’i adresoj të gjitha rekomandimet e dhëna.

Opozita prizrenase, shumëherë gjatë vitit 2018 kishte adresuar kritika ndaj Kryetarit Haskuka, për performancë të dobët në realizimin e buxhetit të Komunës së Prizrenit.