Konfirmohet: Prokuroria kosovare dhe ajo e Gjermanisë po hetojnë “Call Center”

Prokuroria Speciale e Kosovës ka bërë të ditur se në bazë të kërkesës për Ndihmë Juridike Ndërkombëtare, Prokuroria e Gjermanisë e Landit Saarland, bashkë me prokurorinë kosovare janë duke kryer bastisje në disa qendra të quajtura ‘Call Center’ në qytetin e Prishtinës dhe atë të Ferizajt, me qëllim të zbulimit të fakteve dhe provave për vepra të mundshme penale.


“Prokuroria e Landit Saarland të Gjermanisë, ka filluar hetimet në drejtim të veprës penale “Mashtrim” të Kodit Penal gjerman, dhe aksioni është duke u zhvilluar në disa shtete të Evropës, pjesë e së cilës është edhe Kosova. Po ashtu, Prokuroria Speciale e Kosovës, njofton se nëse zbulohen faktet konkrete do të fillojë hetimet ndaj pronarëve të këtyre qendrave në territorin e Republikës së Kosovës, në drejtim të veprës penale “Shpërlarje parash”, thuhet në njoftimin për media.