Kongo: Fundoset anija – 30 pasagjerë të vdekur, qindra të zhdukur

Republika Demokratike e Kongos është tronditur pas fundosjes së anijes që barte 350 pasagjerë në një liqen në këtë shtet, kanë alarmuar zyrtarë të Kongos për CNN.

Deri më tani, 30 pasagjerë kanë vdekur, ndërsa qindra pasagjerë të tjerë rezultojnë si të zhdukur.

Kryetari i qytetit Innogo në perëndim të Kongos, Simon Mbo Wemba, ka deklaruar se zhytësit vendorë që po e udhëheqin operacionin kanë gjetur 183 të mbijetuar nga vendi ku është fundosur anija.

Ai ka thënë se anija e mbingarkuar u nis nga Innogo, por u zhyt në liqenin Mai-Ndombe, në perëndim të vendit, pasi u godit nga erëra të fuqishme disa kilometra para se të arrinte në destinacionin e vet të shtunën në mbrëmje.

“Atje janë 183 të mbijetuar, por në anije kishte më shumë se 350 persona në bord. Megjithatë, ne po punojë ditë e natë për të kërkuar pasagjerët”, ka bërë të ditur kreu i këtij qytetit.

Aksidentet me anije që përfundojnë me fatalitet janë të shpeshta në sipërfaqet ujore të Kongos. Kjo për shkak se udhëtimi me anije është transporti më i shpeshtë për banorët që jetojnë në vendet rurale.