Kongresisti amerikan, Eliot Engel, nesër në Serbi

Kongresisti amerikan, Eliot Engel, siç e cilëson “Novosti” i Beogradit, me dekada lobist për shqiptarët, mbështetës i pavarësisë së Kosovës dhe i bombardimit të Serbisë më 1999, të mërkurën, pra nesër, do të jetë mysafir i Kuvendit të Serbisë.

Ai do të takohet me nënkryetarin e Parlamentit, Vlladimir Marinkoviq, me kryetarin e Këshillit për politikë të jashtme, Zharko Obradoviq dhe me deputetët Gordana Çomiq dhe Sandra Bozhiq. Sipas mediave serbe, kongresisti Engel ka bërë kërkesë që të vizitojë Parlamentin serb.

Konstatimit se bëhet fjalë për lobist ekstrem të shqiptarëve, i cili shfrytëzon çdo rast për të folur kundër Serbisë, Marinkoviq citohet të jetë përgjigjur:

“Po, është lobisti më ekstrem. Por, për ne çshtë i rëndësishëm çdo rast. Sikur para njëzet vjetësh të kishim komunikime me kongresistë, do të kalonim më mirë…” Gazeta “Novosti” e Beogradit rikujton se Eliot Engel ka organizuar në Dhomën e Përfaqësuesve panelin ku është pohuar për dhunimin e 20 mijë grave shqiptare gjatë luftës në Kosovë.

“Në Kosovë ai është yll. Në Pejë një rrugë e ka emrin e tij, ndërsa pulla postare me figurën e tij kushton madje dy euro”, shkruan kjo gazetë.