Konjufca: Do të ndërmarrë veprime në përputhje me përgjegjësitë e secilit.

Ministri i Jashtëm dhe Diasporës, Glauk Konjufca ka reaguar ndaj deklaratave se Xhamajka në fakt nuk e ka njohur Kosovën.

Lajmi se Kosova u njoh edhe nga Xhamajka u dha fillimisht dje nga Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, i cili tha se ishte njoftuar nga Ambasadorja e Kosovës në ShBA, Vlora Çitaku.

Ministrja e punëve të Jashtme të Xhamajkës sot ka mohuar se vendi i saj ka njohur Kosovën.

Ministri i Jashtëm dhe Diasporës, Glauk Konjufca me anë të një njoftimi ka treguar se janë duke biseduar me Ambasadën e Kosovës, në Amerikë për të sqaruar situatën e krijuar.

Ai tutje tha edhe se lajmin për njohjen e ka marrë përmes postës elektronike nga Ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vlora Çitaku.

Një informatë e tillë sipas Konjufcës që merret nga një ambasador konsiderohet si akt i mirëqenë.

” Si Ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, pas shqyrtimit të situatës, shumë shpejt do të ndërmarrë veprime në përputhje me përgjegjësitë e secilit ” thuhet në reagimin e Konjufcës.

Në një postim ne Twitter, duke shpërndarë deklaratën e presidentit të Kosovës Hashim Thaçi i cili e ka falënderuar Xhamajkën për njohje, Kamina J Smith ka shkruar se vendi i saj nuk e ka njohur Kosovën./Lajme365/.

Ministrja e Jashtme e Xhamajkës thotë se nuk e kanë njohur Kosovën