Konjufca: Valdete Daka është përbetuar për eliminimin e Albin Kurtit nga gara e barabartë zgjedhore

Anëtari i Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kandidat për deputet, Glauk Konjfuca, ka bërë sërish një deklaratë për kryetaren e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka.

Konjufca ka thënë se sot është parë qartë që Daka është koka e planit për stopimin e VV-së dhe të Albin Kurtit.

“I ftoj tash të gjithë ata që dje i thonin VV-së ‘të respektohet ligjshmëria’, këtë parim ta thonë edhe një herë e me zë të lartë tash që Zyra e Pavarur e Certifikimit i dha të drejtë Albin Kurtit. Nëse ky rekomandim nuk zbatohet, atëherë kush nuk po i zbaton vendimet ‘veç kur nuk po i konvenojnë’ VV-ja a Valdete Daka?”, ka shkruar Konjufca në Facebook.

Tutje, ai ka thënë se “nëse bordi politik i KQZ-së i mbivendoset Zyrës profesionale të Certifikimit, kjo përfundimisht e fundos pavarësinë e këtij institucioni bashkë me demokracinë dhe të drejtat e njeriut”.

“Të drejtat e njeriut dhe demokracia nuk mund të determinohen nga një forum politik, drejtuesja e të cilit, siç po tregon me sjelljen e saj, është përbetuar për eliminimin e Albin Kurtit nga gara e barabartë zgjedhore”, thotë më tej ai.

Ndryshe, sot Zyra për Regjistrimin dhe Certifikimin e Partive Politike, i ka rekomanduar KQZ-së që të certifikojë listën e kandidatëve për deputetë, por që kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, ka kërkuar dokumente shtesë për këtë, duke shtyrë mbledhjen për dy orë. /Telegrafi/