Kopertina Vogue me Kamala Harris shoqërohet me kritika të ashpra, por pse?

Dalja e Kamala Harris në American Vogue ka shkaktuar kritika të shumta në rrjet.

Imazhi, i cili tregon Harris me një xhaketë të zezë dhe atlete Converse, nuk ishte ai që ajo kishte pritur të dilte në kopertinën e revistës prestigjioze.

Një burim tha se ekipi i Harris besonte se kopertina do ishte një foto tjetër, ku ajo shfaqej duke pozuar me një kostum blu të hapur në një sfond të artë.

Sipas një burimi të CNN, ekipi i Harris kishte pritur që kjo veshje të përdorej si fotoja kryesore e kopertinës, ndërsa ajo me veshjen ‘casual’ të shfaqej brenda revistës.

I njëjti burim tha se ekipi i Harris ka kërkuar një kopertinë të re, megjithëse versioni i shtypur i revistës doli në mes të dhjetorit.

Megjithatë problemi qëndron diku tjetër.

Kopertina filloi të qarkullonte në internet të dielën dhe nxiti shumë debate në mediat sociale për shkak se u quajt e stiluar dobët dhe sepse ngjyra e lëkurës së Harris dukej më e bardhë. Shumë njerëz sfondin e krahasuan me një sallon luksoz francez, ndërsa të tjerë e quajtën foton “mungesë respekti” ndaj nënpresidentes së zgjedhur.

Kritikët theksuan se fotografitë e bënin lëkurën e saj të dukej më e çelët sesa është realisht. Dramaturgu dhe avokati Wajahat Ali e përshkroi atë si një “rrëmujë”, duke shtuar se kryeredaktorja e Vogue, Anna Wintour, “nuk duhet të ketë miq dhe kolegë me ngjyrë”.

Debati vjen pak më shumë se një javë para se Harris të inaugurohet si nënpresidentja e parë femër, me ngjyrë dhe aziatiko-amerikane.