Korçë: Gaz lotësjellës në koncertin e Bregovicit

Një i ri dyshohet se ka hedhur gaz lotsjellës gjatë performancës së Goran Bregovicit në Festën e Birrës në Korçë.

Siç kanë raportuar mediat shqiptare, gazi është hedhur në një zonë ku ndodheshin spektatorët duke krijuar pak panik dhe disa prej tyre kanë nisur të largohen.

Ndërkohë, në disa video që kanë qarkulluar pjesëmarrësit shihen duke fërkuar sytë për shkak të djegies që i shkakton gazi lotsjellës.

Nuk kanë munguar edhe ata që kanë pyetur policinë për kontrollin që i kanë bërë të gjithë personave të pranishëm.

Në anën tjetër, Top Channel ka raportuar se gazi është hedhur nga një i ri dhe se i dyshuari është kapur nga policia.