Kosnett i ashpër – i gëzohet shkarkimit të Selimit, kërkon shkarkimin e Mustafës

Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip S. Kosnett ka reaguar pas shkarkimit të Sylejman Selimit nga pozitë e këshilltarit të kryeministrit Ramush Haradinaj.

Kosnett ka theksuar se të dënuarit nga drejtësia nuk e kanë vendin në institucione.

“Jam i inkurajuar të shoh që disa individë të dënuar janë shkarkuar nga funksionet që mbanin – kjo duhet të bëhet standard për qeverinë”, ka shkruar ambasadori i SHBA-së në Tëitter.

Por, këtu nuk mbaron gjithçka.

Kosnett ka thënë se ndjehet i kënaqur që mediat kosovare po raportojnë edhe për të një të dënuar tjetër për krime të luftës që mban pozitë në institucionet shtetërore.

“Jam i kënaqur që mediat po flasin një kriminel tjetër të luftës… shkarkimi nga ky funksion do të dëshmonte respektimin e sundimit të ligjit”, ka shtuar Kosnett.

Edhe pse ambasadori amerikan nuk ka përmendur se kujt i është adresuar në këtë rast, megjithatë mediat vendore kanë raportuar se bëhet fjalë ish-deputetin e PDK-së, Rrustem Mustafa, i cili është i dënuar po ashtu për krime lufte në Kosovë.

Aktualisht, Mustafa mban pozitën e këshilltarit të presidentit Hashim Thaçi.