Kosnett ironizon: Edhe sa do të zgjasë rasti ‘Pronto’?

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip S. Kosnett, ka thumbuar sërish sistemin e drejtësisë në Kosovë.

Ai ka reaguar lidhur me ecurinë e rastit të njohur në publik si ‘Pronto’ duke pyetur se kur do të shohim progres sa i përket këtij rasti. Në profilin e tij në Twitter, Kosnett në mënyrë ironike është shprehur se sa më i rëndësishëm të jetë rasti, atëherë edhe procedurat ligjore për atë rast po zgjasin më shumë në Kosovë.

“Kur do të shohim për progres në rastin ‘Pronto’?”, ka pyetur ambasadori i SHBA-së.

Ndërkohë, të premten, Gjykata e Apelit ka refuzuar si të pabazuar ankesat e avokatëve mbrojtës të të akuzuarve për hedhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave. Kjo nënkupton se të akuzuarit që janë zyrtarë të lartë të PDK-së, si Adem Grabovci, Zenun Pajaziti, Besim Beqaj dhe të akuzuar të tjerë do të dalin së shpejti në gjykatë për këtë rast.

Sipas aktakuzës së prokurorisë, këta po akuzohen se në formë të bashkëpunimit kanë kryer veprën penale “Shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës” nga neni 193 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Në njoftimin e Gjykatës së Apelit thuhet “se a do të vërtetohet fajësia e tyre, mbetet të shqyrtohet gjatë fazave të ardhshme të procedurës penale dhe shqyrtimit kryesor të çështjes, e që në këtë fazë të procedurës penale fajësia nuk mund të supozohet as nga gjykata e as nga palët.”