Kosnett: Kosova e ka obligim ta formojë Asociacionin e Komunave Serbe

Shtetet e Bashkuara të Amerikës besojnë se Kosova ka obligim që ta formojë Asociacionin e Komunave Serbe në Kosovë.

Kështu ka thënë ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, gjatë një interviste për mediumin në gjuhën serbe në Kosovë, Radio Kontakt Plus, përcjell Telegrafi.

Sipas Kosnett, “historia nuk filloi në ditën kur u formua qeveria e Albin Kurtit dhe ne besojmë se vendet kanë një detyrim të respektojnë marrëveshjet dhe detyrimet e supozuara më parë”.

Po sipas mediumit në fjalë, ai beson se nuk do të ketë shumë hapësirë për përparim nëse të dy palët nuk janë të gatshme për kompromis.

“Për 20 vitet e fundit në Kosovë, njerëzit janë mësuar që bashkësia ndërkombëtare të hedhë shumë para, duke ndihmuar njerëzit të zgjidhin problemet”, ka theksuar Kosnett, duke paralajmëruar se kjo nuk do të zgjasë përgjithmonë.

Ndërsa i pyetur nëse ai ndan optimizmin e të Dërguarit Special të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor Matthew Palmer, i cili tha në fillim të qershorit se ai mendonte se ishte “absolutisht e mundur” që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq të nënshkruanin një marrëveshje midis Prishtinës dhe Beogradit, ndër të tjera, Kosnett tha se ishte e rëndësishme të ecet përpara për atë çështje, me një sens të caktuar urgjence.

“… Unë mendoj se është në interesin e madh të njerëzve të të dy vendeve që të jenë në gjendje të ecin përpara sa më shpejt që të jetë e mundur. Sigurisht, është e nevojshme të zhvillohen negociata serioze”, citohet më tej ambasadori Kosnett. /Telegrafi/