Kosnett: Për një vit, gjykatësit e Supremes morën paga pa marrë asnjë vendim

Në vazhdën e publikimeve të përjavshme të komenteve lidhur me sundimin e ligjit në Kosovë, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Philipp Kosnett, i kritikoi për mospunë gjykatësit e Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, raporton Radio Evropa e Lirë.

Në një postim në Twitter, ai shkroi se, ndonëse Ligji i vjetër për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme ua ka pamundësuar gjykatësve vendorë të vazhdojnë gjykimet pa kolegët nga EULEX-i – misioni evropian për sundim të ligjit – ata kanë mundur të punojnë në përgatitjen e lëndëve të mbetura prapa.

“Gjykatësit e Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme kanë marrë paga për një vit pa marrë asnjë vendim, pasi një ligj i vjetër (tani i ndryshuar) thoshte se gjykatësit e EULEX-it duhej të ishin të ulur aty për të vazhduar gjykimet. Këta gjykatës kanë mundur të përgatisin lëndët e mbetura prapa”, tha Kosnett.

/REL, link: https://www.evropaelire.org/a/30026323.html/