Kosnett reagon para seancës për presidentin

Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, ka kërkuar nga të gjithë deputetët që të qëndrojnë në sallë, në mënyrë që të bëhet kuorumi për votimin e presidentit.

Ai këto deklarime i ka bërë nëpërmjet llogarisë së tij në ‘Twitter’, pak minuta përpara se të fillojë seanca për votimin e të parit të vendit, shkruan Gazeta Express.

“Pozicioni i qeverisë amerikane mbetet i pandryshuar. Ne mbështesim votimin e presidentit. U bëjmë thirrje të gjithë anëtarëve të Kuvendit të përmbushin përgjegjësitë e tyre ndaj popullit të Kosovës, duke marrë pjesë në votim për të siguruar kuorumin”, ka deklaruar ai.

Deklarime të ngjashme kanë bërë edhe ambasadorë të shteteve të tjera mike.

Ambasadori i Italisë në Kosovë, Nicola Orlando, ka kërkuar prezencën e të gjitha subjekteve politike në seancën që do të mbahet për votimin e presidentit.

Orlando ka kërkuar që të mos bojkotohet seanca, si dhe që të vendoset përpara interesi i shtetit përpara interesave personal.

“Siç kam thënë më parë, tash është koha që të gjitha partitë dhe deputetët të veprojnë me përgjegjësi, të vendosin interesin e vendit para gjithçkaje duke marrë pjesë në proces. Bojkotimi nuk do t’i sjellë dobi askujt”, deklaroi ai.

Seanca pritet të mbahet nga ora 18:00. /Gazeta Express/