Kosova aplikon zyrtarisht për anëtarësim në Këshillin e Evropës

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, e ka dorëzuar aplikimin për anëtarësim të plotë në Keshillin e Evropës.

Këtë e ka konfirmuar Sharr Jakupi, shef i kabinetit te ministres Gërvalla.

“Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës Donika Gërvalla sapo ka përfunduar takimin ne Këshillit të Evropës, e cila në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës sapo ka dorëzuar aplikimin për anëtarësim të plotë tek Këshilli e Evropës” thuhet në njoftim.

Përmes një  video-incizimi të publikuar nga Ministria e Punëve të Jashtme, ministrja e këtij dikasteri Donika Gërvalla, ka thënë se pas këtij aplikimi Kosova pritet të jetë anëtare e plotë e Këshillit Evropian.

“Sapo dolëm nga takimi me zëvendës sekretarin e përgjithshëm të Këshillit të Evropës. Në emër të republikës së Kosovës dorëzuam kërkesën për anëtarësim në KE. Sot hapet një kapitull i ri për shtetin e Kosovës, sot hapet procedura e shqyrtimit të kërkesës tonë e cila do të kalojë në instanca të ndryshme të KE-së, të Asamblesë Parlamentare dhe në fund edhe të Këshillit Ministror”, ka deklaruar Gërvalla.

Tutje Gërvalla ka thënë se Kosova e meriton të jetë pjesë e KE-së, sepse sipas saj është vendi më demokratik dhe më proevropian në rajon.