“Kosova duhet të reflektojë në diplomaci”

Kryetar i Shoqatës së Miqësisë Franko-Shqiptare, Tahir Shabani, ka thënë se Kosova duhet të bëjë përparim në diplomaci sepse qëndron shumë mbrapa.

Këto komente i bëri ai në rubrikën Sytë 7 në Klan Kosova, duke shtuar se përzgjedhja e diplomatëve duhet të bëhet mbi baza të meritave dhe jo mbi baza partiake.

“Roli ynë si shoqatë është shumë i përcaktuar në aspektin bilateral dhe trelateral. I bëj apel Qeverisë së ardhshme të Kosovës që të fokusohet në prioritetet diplomatike sepse jemi shumë mbrapa”.

“Uroj që përzgjedhja e diplomatëve të bëhet mbi baza të vlerave dhe jo mbi baza partiake. Bëj apel tek ministria e Jashtme sepse nevojitet reflektim në këtë drejtim”.

Shabani ka thënë se diaspora shqiptare ka dhënë kontribut të madh, mirëpo është diplomacia ajo që duhet avancuar, duke theksuar edhe nevojën e përmirësimit të protokollit shtetëror.

“Për shembull, shtëpia ime ka qenë shndërruar në protokoll të Kosovës para shpalljes së pavarësisë. Po e them këtë për të treguar se nuk është e vështirë t’i bëjmë këto protokolle”.

“Protokolli i shtetit duhet të jetë në nivel të organizuar dhe uroj që të reflektojnë për këtë gjë”.

Ai gjithashtu ka folur edhe për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ç’rast ka thënë se Kosova duhet t’i respektojë edhe këshillat e partnerëve ndërkombëtar.

“Negociatat me Serbinë do të varen nga koalicioni për formimin e Qeverisë. Uroj që koalicioni ardhshëm të reflektojë pozitivisht. Roli ndërkombëtar do të jetë ai që ka qenë dhe besoj se nuk do të ndryshojë”.

“Partnerët ndërkombëtarë i kemi të fortë; mirëpo ne kemi nevojë edhe për këshillat e tyre. Presidenti Ibrahim Rugova gjithmonë e kërkonte ndihmën dhe këshillat nga miqtë”.