Kosova e gatshme për Bullgarinë

Dardanët e mbajtën stërvitjen e fundit para ndeshjes së rëndësishme kundër Bullgarisë në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Europian 2020.

Seancë stërvitore është mbajtur në stadiumin kombëtar “Vasil Levski” në Sofje, arenë në të cilën nesër në orën 20:45 do të zhvillohet edhe ndeshja e radhës në kuadër të kualifikimeve për EURO 2020.

Atmosfera në ekipin kombëtar është shumë e mirë dhe të gjithë janë të gatshëm për të dhënë maksimumin në duelin kundër bullgarëve, me besim dhe shpresë se kësaj radhe edhe fati do të jetë në anën e Dardanëve për t’i arkëtuar pikët e plota.

Edhe në stërvitjen e fundit përkushtimi i futbollistëve ka qenë i madh, derisa përzgjedhësi Bernard Challandes ka qenë i fokusuar për të parë formën e secilit futbollist dhe për të vendosur për 11-shen e cila do t’i kundërvihet nesërmbrëma bullgarëve.

Lëndimi i Arbër Zenelit ka shtuar vështirësitë për përzgjedhësin Challandes, por ai ka paralajmëruar se nuk do të ndryshojë asgjë në taktikën e lojës.