Kosova forcohet edhe më shumë

Futbollisti i talentuar, Florent Muslija, është lojtari i radhës që i bashkohet ekipit kombëtar të Kosovës. Talenti 20-vjeçar i skuadrës së Bundesligës, Hannover, sonte, e ka nënshkruar deklaratën me të cilën përfundimisht i ka thënë “PO” ekipit të Dardanëve. Kësisoj, Muslija do të jetë në dispozicion të përzgjedhësit Bernard Challandes që nga ndeshjet e shtatorit kundër Çekisë dhe Anglisë, në kuadër të kualifikimeve për EURO 2020, njofton Federata e Futbollit e Kosovës.

“Jam i lumtur që sot i bashkohem Dardanëve dhe do të jap më të mirën time për të arritur maksimumin e rezultateve me ekipin kombëtar. I falënderoj të gjithë, Besin, Fekmin dhe drejtuesit e FFK-në, por edhe familjen time që më kanë përkrahur” është shprehur prurja më e re e Kombëtares së Kosovës, supertalenti Florent Muslija.

Image may contain: 2 people, people standing

20-vjeçari i lindur në Gjermani është pjesë e Hannoverit, me të cilën skuadër ka kontratë deri në vitin 2022, derisa në edicionin e kaluar shënoi dy gola në 17 paraqitje. Florenti ka qenë pjesë e Kombëtares U20 të Gjermanisë dhe ka shënuar një gol në pesë ndeshje.