Kosova merr kryesimin e SEECP, Pacolli nesër do të prezantojë prioritetet

Pas Bosnjë e Hercegovinës, Kosova që nga nesër (e hënë) edhe zyrtarisht do të merr kryesimin e Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP).

Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, nesër para ambasadorëve të shteteve mike të Kosovës do të hap në mënyrë solemne kryesimin e Kosovës. Me këtë rast ai do t’i prezantojë prioritetet e vendit gjatë këtij kryesimi.

Kryesimi i nismës rajonale SEECP nga ana e Kosovës vlerësohet si tepër e rëndësishme marrë parasysh që kjo po ndodh në të njëjtin vit kur Kosova tashmë ka kryesimin me Fondin e Ballkanit Perëndimor (WBF) dhe Iniciativën Rajonale të Migracionit, Azilit dhe Refugjatëve (MARRI).

Kryediplomati Pacolli kohë më parë vlerësoi se SEECP gjatë kryesimit të Kosovës do të zhvillohet më tej si një shprehje e solidaritetit dhe përpjekjeve të shteteve pjesëmarrëse për të forcuar lidhjet dhe bashkëpunimin midis tyre dhe shteteve e strukturave tjera euroatlantike, raportojnë mediat vendore.

Vendet anëtare të SEECP-it janë Kosova, Shqipëria, Bosnje dhe Hercegovina, Turqia, Maqedonia e Veriut, Kroacia, Mali i Zi, Sllovenia, Bullgaria, Greqia, Moldavia, Rumania dhe Serbia.

Ndërsa, kryesimi i SEECP-it është njëvjeçar dhe kryesinë e mëhershme e kishte Bosnja e Hercegovina, në samitin e së cilës nuk mori pjesë presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, meqë prezantimi i Kosovës bëhej me referencë në fusnotë.