Kosova nuk bashkëpunon me Rusinë

Në raportin e Departamentit amerikan të Mbrojtjes thuhet se Kosova nuk bashkëpunon me Rusinë në asnjë çështje të sigurisë.

Sipas raportit, nisma e Kosovës për të zhvilluar forcën e saj ushtarake dhe dëshira për të siguruar një Plan të Veprimit për Anëtarësim në NATO i kanë kufizuar mundësitë e Rusisë për të ndërhyrë në punët e Kosovës.

Në lidhje me Maqedoninë e Veriut, raporti thekson se ky vend e ka shmangur pjesëmarrjen në aktivitetet e bashkëpunimit në siguri, që lidhen me Rusinë.

“Dëshira e Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në NATO e ka forcuar rezistencën e saj ndaj ndërhyrjes ruse”, thuhet në raport.

I njëjti thekson se kur bëhet fjalë për Bosnje e Hercegovinën, marrëdhëniet e këtij vendi me Rusinë ndërlidhen me tensionet etnike dhe politike atje – marrë parasysh që Bosnja përbëhet nga tri grupe të mëdha etnike: myslimanët, kroatët dhe serbët.

Sipas raportit, ka prova që Rusia po e mbështet një lëvizje separatiste të serbëve të Bosnjës, të udhëhequr nga presidenti Millorad Dodik, me qëllim pengimin e Bosnjës nga anëtarësimi në NATO dhe në Bashkimin Evropian. /REL/