Kosova nuk e di sa persona kanë ardhur nga Shqipëria

Pas tërmetit, i cili goditi Shqipërinë më 26 nëntor, ende nuk dihet saktësisht numri i personave të ardhur nga ky shtet dhe që kanë hyrë në territorin e Kosovës.

Tërmeti me magnitudë 6.3 ballë të Rihterit, i cili ka goditur Shqipërinë më 26 nëntor, ka qenë më i fuqishmi që ka goditur këtë vend gjatë dekadave të fundit dhe për pasojë ka lënë të 51 persona të vdekur, qindra të lënduar dhe mijëra persona të pastrehë, si pasojë e shembjeve, dëmtimeve serioze dhe rrezikshmërisë që paraqesin vendbanimet e tyre.

Menjëherë pas tërmetit, filluan organizime të ndryshme në Kosovë, fillimisht kishin ndërmarrë nisma për t’i ndihmuar banorët e zonave të prekura nga tërmeti në Shqipëri dhe njëkohësisht kanë marrë me vete në Kosovë një numër të caktuar banorësh të këtij vendi, për t’i strehuar në qytete të ndryshme të vendit.

Të vetmet të dhëna që janë identifikuar, sipas autoriteteve kompetente, janë në Komunën e Prizrenit. Nehat Koqinaj, zyrtar për marrëdhënie me publikun nga Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave, e cila funksionon në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshëm, thotë për Radion Evropa e Lirë se në këtë komunë janë akomoduar mbi 1800 persona. Ai thotë se shumica kanë gjetur strehim në shtëpi private, mbi 420 në Kampin Inovativ Trajnues Kosovaro-Gjerman dhe 120 në gjimnazin “Gjon Buzuku” në Prizren.

Ai ka thënë se gjatë këtij vikendi një numër i qytetarëve të Shqipërisë janë kthyer në vendin e tyre.

Edhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kërkuar nga të gjithë qytetarët, shoqëria civile por edhe subjektet politike që të tregohet kujdes me personat e ardhur nga Shqipëria, të cilët kanë hyrë në territorin e Kosovës, pas tërmetit të 26 nëntorit.

“Çdo shtetas i Shqipërisë, që hyn në territorin e Kosovës, nuk do të mbetet pa strehë, por nuk është në rregull një zhvendosje pa kritere e njerëzve që vijnë nga zonat që nuk janë prekur nga tërmeti. Dikush po i mashtron njerëzit, po i mbush autobusët, po i sjell në kushte të vështira… është dimër, nuk është në rregull. Keqpërdorimi i kësaj gjendjeje nuk është në rregull, duhet pasur kujdes”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj më pas u bëri thirrje qytetarëve nga zonat e paprekura nga tërmeti në Shqipëri, që të mos të vijnë në Kosovë. Ai tha se bëhet fjalë për atë kategori të qytetarëve të cilët pretendojnë se nëse vendosen në Kampin Inovativ Trajnues Kosovaro – Gjerman në Prizren, mund të dërgohen në shtetin e Gjermanisë. Kjo, sipas tij, nuk është e vërtetë. Haradinaj nuk dha më shumë hollësi mbi këto pretendime.

Shumë shtete i dolën në ndihmë familjeve të prekura, duke dërguar ndihma dhe duke mbledhur fonde për rindërtimin e shtëpive të atyre qe mbetën të pastrehë. /REL/