Kosova pranon ndihmat nga Turqia

Në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë, ka mbërritur kontingjenti i parë i masave mbrojtëse dhe pajisjeve mjekësore, donacion i Turqisë për institucionet e Kosovës për menaxhimin e situatës pandemike me coronavirus.

Në këtë donacion përfshihen maska, dorëza dhe teste për verifikimin e personave me COVID-19.

Në një konferencë për media, ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka falënderuar shtetin e Turqisë për ndihmën e dhënë në kuadër të luftimit të COVID-19.

“Kjo ngjarje tregon solidaritet dhe miqësi në kuadër të betejës me COVID-19 në Kosovë. Sot nga populli turk kemi pranuar një ndihmë të konsiderueshme që të përballemi më lehtë  dhe më mirë me COVID-19. Miqtë e mirë shihen në ditët e vështira, falënderoj miqtë tanë që deri tani kanë dhënë ndihma për popullin e Kosovës. Falënderoj popullin turk”, tha ai.

Ambasadori i Turqisë në Prishtinë, Çagri Sakar, deklaroi se ndihmat për Kosovën janë nisur me kërkesë të presidentit Recep Tayyip Erdogan.

“Në muajin mars, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka kërkuar të ndihmojmë popullin e Kosovës. Më 19 mars kanë realizuar një telefonatë, ndërsa më 20 mars është nënshkruar marrëveshja e grantit. Jemi të lumtur që kemi pasur mundësi t’i përgjigjemi pozitivisht Kosovës në këto ditë të vështira. Në mesin e ndihmave kemi sjellur dorëza, maska dhe teste”, tha ambasadori Sakar.

Falënderues ndaj këtij donacioni u shpreh edhe ministri në detyrë i Infrastrukturës, Lumir Abdixhiku, teksa bëri të ditur se do të organizojnë një fluturim për qytetarët që kanë mbetur në Turqi.