Kosova shkel Malin e Zi

Kosovë spektakulare. Kështu mund të cilësohet loja që ka shfaqur Kombëtarja Dardane në ndeshjen e radhës kualifikuese për Euro 2020 kundër Malit të Zi, në stadiumin e tejmbushur “Fadil Vokrri” në Prishtinë, ku kanë qenë të pranishëm 12.494 tifozë.

Dardanët e kanë nisur në mënyrë fantastike lojën dhe pikërisht në momentet kur tifozët në tribuna kishin ndezur dritat në shenjë respekti për legjendën Fadil Vokrri, në ato momente erdhi edhe goli i gëzimit.

Po luhej minuta e 10-të, kur Bersant Celina harkoi në zonë nga këndorja, derisa më së larti u shkëput Amir Rrahmani, që e nguliti topin me kokë në rrjetën e portës së malazezëve, duke shkaktuar gëzim të papërshkrueshëm tek tifozët në tribuna.

Loja e mirë e Kosovës vazhdoi edhe në minutat në vijim, me raste të shumta para portës, por që epërsia u dyfishua në minutën e 34-t, kur kësaj radhe Vedat Muriqi, si luan i vërtet, finalizoi një aksion perfekt të Dardanëve, duke e gjunjëzuar përfundimisht skuadrën mysafire.

Në pjesën e dytë Kosova sërish u shfaq spektakolare, por që futbollistëve tanë iu mungoi efikasiteti, derisa në një rast golin ua mohoi tërthorësja e portës.

Pas kësaj fitoreje Kosova i mban gjallë shpresat për kualifikim, me 11 pikë të arkëtuara dhe me dy finale për t’u zhvilluar kundër Çekisë dhe Anglisë në muajin e ardhshëm.