Kosova U20: Dje 49, sot humbje me 48 pikë dallim

(nga TopSporti.com) – Përfaqësuesja e Kosovës U20 në basketboll sot është mposhtur me 48 pikë dallim nga Holanda U20 në Evropianin për këto grupmosha të Divizionit B, që po mbahet në Portugali.

Basketbollistët e drejtuar nga selektori Ibrahim Karabeg nuk kanë qenë as kundërshtarë të denjë të kundërshtarëve të tyre në këtë ndeshje, duke pësuar 40-88 me mesatarisht 10 pikë për çerek [11-26, 15-22, 5-19 dhe 9-21].

Më efikasi te Kosova U20 ka qenë Dardan Kapiti, që ka shënuar 10 pikë, duke u bërë edhe lojtari i vetëm që shënoi pikë dyshifrore në skuadër.

Kosova U20 në ndeshjen e djeshme shënoi 1 treshe ndaj Estonisë U20 nga 15 tentime, ndërsa sot prej 12 tentimeve shënoi, gjithashtu një treshe. Kurse ekipi nuk arriti as 30% saktësi nga gjuajtjet e lira përgjatë ndeshjes.