Kosova U21 pësoi humbje në Elbasan

Kombëtarja U21 e Kosovës ka pësuar humbje në ndeshjen kualifikuese për Evropianin 2021 kundër Kombëtares U21 të Shqipërisë, me rezultat 2:1, në ndeshjen e zhvilluar në “Elbasan Arena”.

Pjesa e parë ishte po thuajse e barabartë, me një trysni më të madhe nga ana e kuqezinjve drejt portës së Smakiqit, por rrjetat mbetën të paprekura.

Ndërkohë, në pjesën e dytë Dardanët patën më shumë nga loja dhe disa mundësi të mira, por nuk i shfrytëzuan. Në anën tjetër, Shqipëria arriti të zhbllokojë rezultatin në minutën e 76-të nëpërmjet Shaqir Tafës. V

etëm pesë minuta më vonë kuqezinjtë e shtuan epërsinë në 2:0, me gol të Arbnor Bucollit. Në minutat e mbetura Dardanët u angazhuan maksimalisht për të ndryshuar gjërat, por nuk arritën më shumë se sa ta shënojnë golin e ngushëllimit nëpërmjet Blend Baftiut në minutën e 89-të.

Kjo është humbja e dytë radhazi e Kosovës U21 pas asaj në Angli, teksa ka shënuar dy fitore në dy ndeshjet e para të këtyre kualifikueseve kundër Andorës dhe Turqisë.