Kosova voton

Një milion e 938 mijë votues të regjistruar vendosin sot për përbërjen e re të parlamentit 120 vendesh të Kosovës.

Zgjedhjet pasuan dorëheqjen e kryeministrit Ramush Haradinaj me 19 korrik, pasi që u thirr për t’u marrë në pyetje në Prokurorinë e Posaçme në Hagë e cila trajton pretendimet për krime lufte dhe të pasluftës në Kosovë.

Rreth 900 qendra votimi me rreth 2 mijë vendvotime do të jenë të hapura deri në orën 19 sipas kohës së Evropës qendrore dhe votuesit do të zgjedhin në mesin e mbi 1 mijë kandidatëve të 25 subjekteve politike të të gjitha komuniteteve.

Rreth 30 mijë vëzhgues do të ndjekin nga afër zgjedhjet në mesin e të cilëve qindra vëzhgues të Bashkimit Evropian dhe të ambasadave perëndimore.

Mbi 6 mijë pjesëtarë të policisë dhe mbi 100 prokurorë e gjykatës do të kujdesen për sigurinë dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve në të cilat kandidaturën e tyre për postin e kryeministrit e kanë hedhur 7 veta.

Autoritetet vendase e ndërkombëtarë kanë bërë thirrje për zgjedhje të qeta dhe pjesëmarrje në shkallë të gjerë. /VoA/