Kosovarët krijojnë ventilatorin për frymëmarrje, nesër testohet

Kompania kosovare “Formon” ka krijuar ventilatorin për frymëmarrje dhe nesër do të testohet prototipi, ka bërë të ditur për KOHËN, Rron Cena, drejtor i kësaj kompanie.

Ventilatori është i domosdoshëm për raste urgjente te pacientët që kanë probleme me frymëmarrje, e në këtë kohë vendit mund t’i hyjë në punë, pasi edhe koronavirusi shpesh shkakton telashe të tilla.

Ventilatori është emërtuar “VentCore”.

“VentCore është respirator i thjeshtë, i cili përdor BVM (bag-valve-mask) për të ndihmuar pacientët e infektuar me COVID-19 me frymëmarrje. Sipas hulumtimeve që kemi bërë, mungesa e pajisjeve të tilla nëpër spitale anembanë botës, ka qenë një prej shkaktarëve të shume vdekjeve nga ky virus. Për atë arsye jemi fokusuar për me e kriju një pajisje me dizajn të hapur dhe qe prodhohet shpejtë edhe thjeshtë”, ka thënë Cena për KOHËN.

Ventilatori, sipas një komunikate nga Innovation Centre Kosovo, është pajisje lehtë e prodhueshme, përfshirë edhe pjesët të cilat mund të prodhohen me printerët 3D nga “Formon”.

“Ventilatori do të hyjë në prodhim, menjëherë pas testimit”, thuhet në njoftimin e ICK-së. / Koha.net