KQZ-ja ende s’e di sa fletëvotime janë pranuar me postë

Procesi i numërimit të votave me kusht, atyre me postë dhe të personave me nevoja të veçanta nuk pritet të nisë së paku as këtë javë.

Kjo shkaku i procedurave të verifikimit të formularëve të fletëvotimeve të rregullta dhe procedimit të tyre në bazën e të dhënave në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, raporton KTV.

Kështu edhe rezultati përfundimtar për subjektet politike nuk do të dihet edhe për një kohë.

Përveç rezultateve përfundimtare, procedurat që po marrin shumë kohë do t’i mbajnë në ethe edhe kandidatët për deputetë që synuan ulëset e Kuvendit.

Burim Ahmetaj, koordinator në QNR, thotë se 24 mijë votat me kusht, gjithashtu, do të verifikohen në rast se një person ka votuar më shumë se një herë dhe më pas të nisë numërimi i tyre.

Ndërsa, nga 35 mijë persona nga diaspora që ishin regjistruar në Komision Qendror të Zgjedhjeve me të drejtë vote, ky institucion ka pranuar vetëm rreth 16 mijë pako me postë.

Zëdhënësi i KQZ-së ka thënë se nuk mund ta dinë numrin e saktë të fletëvotimeve, pasi që, sipas tij, brenda një pako mund të ketë disa të tilla.

Megjithatë, ai thotë se janë afër procesit të verifikimit dhe shumë shpejt ato do t’i dorëzohen QNR-së për numërim.

Sidoqoftë, në QNR kanë bërë të ditur se gjatë pranimit të materialit të ndjeshëm, një pjesë e vendvotimeve nuk kanë mundur të procedohen në rregull, për arsye të shkeljeve procedurale, të cilat kanë përfunduar në karantinë. / Koha.net