KQZ-ja i certifikon rezultatet e 14 shkurtit, VV kalon mbi 50 %

Komisioni Qendror Zgjedhor e ka certifikuar rezultatin e zgjedhjeve të 14 shkurtit, raporton Gazeta Express.

Nga certifikimi i këtyre rezultateve, Vetëvendosje ka 50,28 përqind apo 438 mijë e 335 vota, PDK 148285 vota apo 17%, LDK ka 110985 apo 12,73%.

Valdete Daka dha statistika edhe për pjesëmarrjen e qytetareve në votime. Ajo konfirmoi se në zgjedhjet e 14 shkurtit kanë votuar gjithsej 877 mijë e 503 qytetarë.

“Numri i votuesve të regjistruar ka qenë 1.851.927, prej tyre 814.122 kanë votuar në secilin vendvotim. 89.257 kanë votuar jashtë vendvotimeve, pra pjesëmarrja në votime ka qenë 48.78%. Numri i votuesve që kanë votuar ka qenë 877.503. Numri i votave të pavlefshme është 21.532, ndërsa të zbrazëta kanë qenë 5.511”, ka thënë Daka.

Me rezultatet përfundimtare, Vetëvendosja do të ketë 58 deputetë, PDK’ja 19, LDK’ja 15, Srpska Lista 10, AAK’ja 8, KDTP’ja 2, VAKAT 1, IRDK’ja 1, RI’ja 1, NDS’ja 1, SDU’ja 1, JGP’ja 1, PAI 1, LPRK’ja 1.

Pas certifikimit të rezultatit, sipas Kushtetutës së Kosovës, presidenti i Kosovës, në këtë rast, ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, brenda 30 ditësh duhet të thërrasë seancën e parë të kuvendit, në mënyrë që të formohen institucionet e dala nga zgjedhjet. /Express/