KQZ-ja i kundërpërgjigjet Gjuriqit: Më 6 tetor votohet vetëm me dokumente të Kosovës

Kryetarja e Komisionit Qendror Zgjedhor, i ka reaguar ashpër drejtorit të së ashtuquajturës Zyrë për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, i cili sot u bëri thirrje serbëve të Kosovës dhe “të gjithë atyre që e ndjejnë Serbinë si shtetin e tyre, që të marrin pjesë në zgjedhjet e 6 tetorit në Kosovë, përkundër presionit dhe ndalesave nga pala shqiptare”, raporton EkonomiaOnline.

Kryetarja e këtij komisioni, Valdete Daka, tha se do të zbatohet vetëm udhëzimi i KQZ-së për përdorimin e dokumenteve për identifikim, duke u shprehur e shqetësuar nga deklaratat e Gjuriqit.

“Kjo deklaratë më ka shqetësuar. Unë edhe njëherë ua përkujtoj të gjithëve sidomos komisionerëve se udhëzimi i KQZ-së është i obligueshëm për përdorimin e dokumenteve par identifikim. Të gjitha udhëzimet janë të obligueshme për të gjithë”, tha ajo.

Ndërsa Adnan Rrustemi, anëtar i KQZ-së nga Lëvizja Vetëvendosje, tha se Beogradi përmes deklaratave po mundohet ta cenojë të drejtën e zgjedhjeve të lira.

“Jo vetëm ky rast por është shqetësuese komplet atmosfera politike dhe elektorale nga komuniteti serb, është duke u cenuar dukshëm pluralizmi politik është per të ardhë keq që po përsëritet i njejti skenar si në 2017 ku raporti i Be ka tregu që nuk ka pasur zgjedhje të lira, kjo po ndodhë nga ana e Beogradit duke pamundësua zgjedhje të lira, presioni që po ushtrohet është shqetësues, i bëj thirrje prokurorisë dhe policisë që secila parti ti zhvillojë aktivitetet e tyre”, tha ai.

Ilir Gashi nga Partia Demokratike e Kosovës, tha se mekanizmat e shtetit të Kosovës, do ta mbrojnë deri në fund votën e secilit qytetar.

“Nuk i bën nder madje as vet komunitetit serb që deklaratat e tilla tentojnë ta cenojnë procesin, mekanizmat tonë do ta mbrojnë deri në fund votën e secilit qytetar. Ne do ti kryejmë obligimet tona bazuar në ligj dhe rregullat që i kemi përcaktua”.

Ndërkaq sot nga ZRPP-ja u akredituan edhe 432 vëzhgues të tjerë, ku numri i plotë i vëzhguesve është 34 355 mijë vëzhgues.

“Numri i vëzhguesve që iu rekomandojmë për tu akredituar janë 432, 34 335mijë vëzhgues”, tha ai. /EkonomiaOnline/